Minxhozi: “Të tjerë Gërdecë po tronditin Shqipërinë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të radhës që ndodhi në minierën e Bulqizës me pasojë vdekjen dhe plagosjen e dy minatorëve. Minxhozi tha se edhe kjo tragjedi, ashtu edhe si ajo e Gërdecit, ndodhi për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së shtetit. “Thuhet nga qeveria se Gërdeci nuk do të ndodhë më, por Bulqiza tregon të kundërtën. Prej një viti banorët e Bulqizës jetojnë në mes të Gërdecit. Aksidenti i djeshëm është sintezë e qartë e mungesës së përgjegjësisë së shtetit, i cili organizon vetëm funerale, dhe nuk merr masa për t’i parandaluar ato. Kanë ndodhur 12 aksidente dhe asnjë ndëshkim nuk është dhënë Rrënjët e Gërdecit në Bulqizë janë tek korrupsioni, i cili mbjell pasiguri dhe gjeneron tragjedi jetësh njerëzore”, - u shpreh Minxhozi.
“G99”-a organizon një tryezë ekspertësh për ligjin e ri të tatimeve
Në kuadër të votimit të ligjit "Për procedurat tatimore," lëvizja “G99” organizoi dje një tryezë diskutimi për të risjellë në vëmendjen publike disa prej shqetësimeve të artikuluara mbi efikasitetin e këtij ligji. Të ftuar ishin përfaqësues të dhomave të tregtisë, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe sipërmarrjes, ekspertë të firmave ndërkombëtare të auditimit dhe konsultimit të bizneseve, ekspertë ligjorë dhe të shoqërisë civile. Përfaqësuesi i “G99”-s, Erion Veliaj, theksoi se sektori i sipërmarrjes ka qenë sektori më i suksesshëm në këto 18 vite tranzicion dhe se të paktën meriton të dëgjohet. “Ka një kontradiktë të theksuar midis realitetit që pasqyron qeveria me mburrjet për rritjen ekonomike dhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore si dhe reflektimit të biznesmenëve që rrëfejnë se vështirësitë po shtohen”, - u shpreh Veliaj. Tryeza konkludoi se ky ligj nuk reflekton frymën liberale ndaj biznesit por përkundrazi prish balancën në marrëdhënien shtet-biznes, sidomos në mungesë të institucioneve përkatëse në rolin e arbitrit midis tyre.
23 Maj 2008