E Diel, 1 Nëntor 2026

Piramidat, fondi për kreditorët do të jetë 15 milionë dollarë



Kreditorët e mbetur pa shlyer nga firmat piramidale, të cilët janë rreth 133 mijë, do të kenë një fond prej 1.212 miliardë lekësh, ose afërsisht 15 milionë dollarë. Pavarësisht kësaj shifre të lartë në dukje, sasia e madhe e kreditorëve e mbetur pa u likuiduar do të kenë një përfitim minimal nga ky fond. Pjesa më e madhe e kreditorëve i përkasin firmës “Gjallica”, rreth 82 mijë, të cilët nuk do të përfitojnë më shumë se 2.4 për qind të shumës që ata kanë dhënë për firmën. Kreditorët e tjerë do të jenë të firmave “Beno” dhe “Nahlel”, të cilët do të kenë një shifër përfitimi diku tek 7 përqindëshi.
Fondi
Të ardhurat financiare, të realizuara nga shitja e aseteve të shoqërisë "Gjallica" dhe të depozituara në bankë, janë në shumën 937 milionë lekë, ndërkohë që detyrimi i mbetur që kompania ka ndaj kreditorëve është 38,7 miliardë lekë. Pavarësisht lajmeve të publikuara një vit më parë, se mund të gjenden ende para të fshehura jashtë vendit, të cilat i ka pasur kompania “Gjallica”, autoritetet nuk kanë zbardhur ende, duke bërë që shifra e përfitimit për 82 mijë kreditorët e “Gjallicës” të mos jetë më i madh se 2.4 për qind. Kreditorët e ish-kompanive piramidale “Beno” dhe “Nahlel” i kanë ushtruar aktivitet kryesisht në Lushnjë. Kreditorët e “Benos” do të kompensohen në shumën 7.5 për qind, ndërsa kreditorët e “Nahlel” do të përfitojnë 7.9 për qind të shumës. Vendimin për këtë shumë e ka marrë qeveria dhe shumat që do të shpërndahen janë përfituar si raport i të ardhurave, të realizuara dhe të depozituara në bankë nga shitja e aseteve dhe e shumës së detyrimit të shoqërive. Të ardhurat e realizuara nga shitja e aseteve të shoqërisë “Beno”, shpk, në administrim, Lushnjë, dhe të depozituara në Bankën Kombëtare Tregtare rezultojnë 20.5 milionë lekë. Numri i kreditorëve, të cilëve do t'u shpërndahen vlerat financiare, është 10 793 persona dhe koeficienti i kthimit të shumave kreditorëve është 7.51 për qind. Shuma e detyrimit të mbetur, që shoqëria huamarrëse “Beno” në administrim, ka ndaj kreditorëve, është 273,2 milionë lekë. Shpenzimet që kërkon banka për shpërndarjen e lekëve do të paguajë Grupi i Mbikëqyrjes, i cili ka një kosto 50 lekë për person. Gjithashtu, të 259 kreditorët e shoqërisë rentiere “Nahlel” do të kompensohen 7.9 për qind. Të ardhurat të realizuara nga shitja e aseteve të shoqërisë “Nahlel” janë 2,1 milionë lekë, ndërsa shuma e detyrimit të mbetur, që shoqëria huamarrëse në fjalë ka ndaj kreditorëve është 27,5 milionë lekë.
Kthimi
Kreditorët do të kenë mundësi që brenda pak kohësh të tërheqin paratë e tyre sipas përqindjes përkatëse. Mendohet se brenda pak muajve, me përcaktimin edhe të bankës që do të administrojë fondet, do të kryhet edhe shpërndarja e parave. Për të tërhequr paratë në bankë, kreditori duhet të disponojë në radhë të parë kontratën origjinale mes kreditorit dhe firmës rentiere. Në fakt, një kopje tjetër të kësaj kontrate e disponojnë edhe administratorët e firmave piramidale. Në këtë mënyrë, nuk ka për të pasur ndonjë falsifikim, pasi modelin e ruajnë edhe administratorët e firmave piramidale. Kreditori që do të paraqitet për të tërhequr këtë shumë te sportelet e bankës duhet të disponojë edhe një mandat arkëtimi për shumën përkatëse të depozituar, si edhe një dokument vetjak identifikimi, i cili mund të jetë pasaportë ose certifikatë.
E. K

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›