Aksidenti në Kërrabë, `burg pa afat` për drejtuesin e autobusit
Gjykata e Elbasanit dha masën e sigurisë burg pa afat për të dyshuarin si shkaktar të aksidentit të Kërrabës. Drejtuesi i autobusit me targë LB 31 56 A, Mit`hat Biçaku do të qëndrojnë në burg, ndërsa hetimet rreth tij vazhdojnë.
Prokuroria ka kërkuar edhe ekspertizë private, për të kuptuar atë që ka ndodhur në Kërrabë, ku një autobus me 32 persona, pjesa më e madhe e të cilëve anëtarë të Aleancës Kuq e Zi, u përmbys duke rënë 15 metra në greminë, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Ndërsa ekspertët e policisë këmbëngulin në një gabim të shoferit, ende mbeten për t`u verifikuar deklaratat e një pjesë të personave të përfshirë në aksident, që pretendojnë se një makinë ka goditur autobusin.
Ngjarja ndodhi në orën 16.50 të së shtunës në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në vendin e quajtur “Qershitë”, pranë antenave të Petreshit në zbritje për në Elbasan. Autobusi me targë LB 31 56 A, i drejtuar nga Mit`hat Biçaku, 48 vjeç, doli nga rruga duke u rrokullisur disa herë në anë të saj në një lartësi afër 15m. Pas rrokullisjes ai ka qëndruar me gomat lart e kabinën poshtë, duke krijuar një situatë mjaft të vështirë për të lënduarit.
Ai ka pësuar dëmtime të rënda, por gjendja e mirë kabinës së autobusit duket se ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish në këtë rast. Sipas të mbijetuarve, fati për ta ishte që kabina nuk u shtyp megjithë rrotullimet në humnerën ku ra mjeti. Të lënduarit kanë mundur të dalin nga dritaret dhe të ngjiten deri në rrugën automobilistike për të kërkuar ndihmë.