Policia e kryeqytetit rrit masat e sigurisë
TIRANË- Me afrimin e festës së Vitit të Ri, Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë njoftoi marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cënojnë rendin e qetësinë publike. Në një njoftim zyrtar nga Policia e kryeqytetit mësohet se masa të veçanta janë planifikuar për sigurimin e ambienteve të ambasadave dhe rezidencave të tyre, objekteve të rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike dhe depot e ujit, për të shmangur çdo tentativë kriminale ndaj tyre. Efektivat e Policisë së kryeqytetit do të angazhohen në sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në qendrat tregtare, bulevardet dhe sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve, duke mbajtur bashkëpunim me shërbimet e emergjencës si ambulancat dhe zjarrfikset. Ndërkohë, Policia e Tiranës, duke marrë shkas nga aksidenti automobilistik i ditës së diel ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën katër te tjerë, ka planifikuar masa dhe do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike. Kontrollet do të ushtrohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme, si në qytet ashtu dhe në periferi.