E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet zyra e Partisë Socialiste të Durrësit

Zyra është hapur me thyerje gjatë natës dhe janë grabitur materialet partiake, shkresat e partisë si dhe dokumente të tjera

DURRËS- Zyra lokale e Partisë Socialiste e qytetit të Durrësit është grabitur me thyerje natën ndërmjet të dielës dhe të hënës. Grabitësit kanë hyrë në ambientet e brendshme duke marrë të gjithë arkivin elektronik të kësaj zyre duke hedhur dyshime të forta mbi qëllimin e vërtetë të grabitësve.
Thyerja, sipas autoriteteve të kësaj partie, është bërë nga profesionistë pasi brava e dyerve te hekurta tek hyrja kryesore e selisë së PS, është zbërthyer me shume kujdes gjë që sipas tyre, tregon se grabitësit nuk kanë qenë hajdutë ordinerë. Grabitja është zbuluar në orët e para të mëngjesit, kur punonjësit janë paraqitur për punë. Ata thanë se megjithëse në këtë ndërtesë ishin shumë zyra të tjera, janë grabitur vetëm zyrat e PS dhe se brenda këtij institucioni, janë vjedhur gjëra me vlerë dokumentare. Dyshimi shtohet edhe nga fakti se në zyrat e tjera mund të kishte pasur material të bollshëm për një hajdut ordiner por asnjë prej tyre nuk është prekur.
I gjithë dëmi i shkaktuar nga kjo vjedhje, sipas degës lokale të PS-së, kap vlerën e 300.000 lekëve. Sipas deklaratës së PS lidhur me këtë rast, grabitësit, pasi kanë shqyer të gjitha bravat e dyerve të zyrave të PS-së kanë hyrë edhe në zyrën e sekretarit rajonal të PS për qarkun Durrës, Gazmir Bizhga, dhe kanë grabitur kompjuterin e tij (laptop) ku kishte informacione pune në lidhje me aktivitetin e PS në rang qarku ndërkohë që grabitësit kanë marrë edhe shumë CD ku kishte gjithashtu informacion për aktivitetin partiak.
Po kështu, sipas vetë sekretarit Bizhga, grabitësit kanë marrë edhe dokumente shkresore të rëndësishme që kanë të bëjnë me PS e Durrësit. Pas zyrës së kryetarit, autorët kanë vazhduar sulmin në zyrat e tjera te drejtuesve te PS - si dhe në atë të financës, ku janë rrëmbyer të gjitha shkresat që ndodheshin në tryeza, rafte apo sirtarë të zyrave. Përveç dokumenteve, një kompjuteri dhe një televizori nuk janë marrë sende të tjera me vlerë siç ishin kompjuterë të tjerë, televizorë apo printerë.
Duke u nisur nga këto fakte, sipas Bizhgës, sekretar rajonal i PS Durrës dhe deputet i Partisë Socialiste, nuk përjashtohet dyshimi se vjedhja ka qenë tendencioze. "Dyshimet tona janë se kjo grabitje është bërë me orientim politik e nëse policia zvarrit gjetjen e autorëve vërtetohet plotësisht pista politike e kësaj grabitjeje që mund ta ketë zanafillën në qeveritarët e këtij pushteti",- tha dje Bizhga. Ai ka shtuar se në dokumentet e grabitura ka pasur edhe shume prova e fakte, me të cilat PS ka denoncuar korrupsione në institucione të ndryshme, duke shprehur dyshimin se kjo mund te jete edhe një ndër pistat e grabitjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›