E Diel, 1 Nëntor 2026

S'kanë marrë paratë, 80 persona hyjnë në grevë urie

Situatë e rënduar në qytetin e Patosit. Bllokimi i Këshillit Bashkiak ka lënë pa asistencë rreth 630 persona

PATOS- Kriza ekonomike ka tronditur rëndë familjet e varfra të Patosit, të cilat janë detyruar që të hyjnë në grevë urie duke kërkuar paratë që u takojnë. Mbi 80 gra dhe burra kryefamiljare me probleme ekonomike janë futur në një greve sepse rreth 630 veta, të cilët marrin ndihma ekonomike në bashkinë e Patosit nuk kanë marrë pagat e tyre për dy muajt e fundit, nëntor dhe dhjetor.
Pasi kanë pyetur për ditë të tëra në bashki dhe kanë shpresuar se ndokush do t'i përgjigjej hallit të tyre, ata vendosën që një përfaqësi e tyre të futej në një grevë urie për të sensibilizuar qeverinë dhe bashkinë e Patosit. Mëngjesin e djeshëm, ata kanë hyrë në sallën ku zhvillohen mbledhjet e këshillit bashkiak. Fillimisht grevistët janë kundërshtuar nga policia bashkiake dhe më pas nga policia e rendit por janë lënë për të mos krijuar ndonjë incident. Gjithsesi ato janë lënë disa orë brenda sallës por më pas përsëri ka ardhur policia, e cila ka acaruar më tej situatën. Gjatë kësaj kohe, është thyer një xham ndërsa janë shoqëruar dy veta në polici dhe më pas janë lënë të lirë. Lidhur me situatën e krijuar, kryetari Bashkisë Patos, Bardhi Meli, shprehet se nuk është bashkia ajo që pengon ndarjen e lekeve por janë ligjet ato që nuk të lejojnë për të proceduar më tej. Ai i vë fajin këshillit bashkiak pasi sipas tij është ai që duhet të vendosë për ndihmat ekonomike dhe të japi OK dhe më pas në bazë të numrit të personave që duhet të marrin ndihma i dërgohet një shkresë Ministrisë së Financave për të çelur fondin. Këshilli Bashkiak i Patosit ka më shumë se tre muaj që nuk është mbledhur për shkak të problemeve mes këshilltarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›