Hapen portat e HC, Shkodra në rrezik përmbytjeje
Situatë e rrezikshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Gati plani për evakuimin e banorëve në rast përmbytjesh
SHKODËR- Rreth 35 ha tokë bujqësore të zonës së nënshkodrës janë nën ujë si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit dhe hapjes së portave shkarkuese të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Fshatra të komunave Ana e Malit, Berdicë, Dajç, Velipojë etj janë më të prekurit, pasi toka bujqësore është mbuluar nga uji. Fryrja e lumenjve Drin e Bunë dhe hapja e tunelit të shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ose ajo që njihet me emrin porta e Zadejës, ka sjellë situatë emergjence në zonën e nënshkodrës.
Gjatë natës së të hënës, shtabi i emergjencave civile në Prefekturë dhe drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile, Alfred Olli, kanë qenë të pranishëm në zonën e Nënshkodrës ku kanë monitoruar situatën dhe marrë masat e nevojshme në rast se përmbytjet do përfshinin dhe banesat. Gjatë paradites së të hënës, ata kanë inspektuar të gjitha zonat që konsiderohen si pika të rrezikshme dhe janë takuar me banorët që kanë shprehur kërkesat e tyre lidhur me sigurinë nga mos përmbytjet. Sipas Alfred Ollit, deri më tani nuk ka banesa të përmbytura por ka vetëm tokë bujqësore por që është e pambjellë për shkak të stinës së dimrit. Në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës ka ulje të prurjeve dhe kjo garanton mos shkarkim të ujërave. Në terren janë forca të drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, forca të ushtrisë si dhe mjetet përkatëse logjistike për të ndërhyrë në rast përkeqësimi situate nga reshjet.
"Janë siguruar mjetet e transportit për evakuime të mundshme si dhe janë përcaktuar vendet ku do dërgohen njerëzit",- ka thënë Olli. Ndërsa prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, ka theksuar se investimet e bëra vitet e fundit kanë rezultuar efiçente dhe tokat janë mbrojtur, por dhe aty ku ka përmbytje të tyre, toka nuk është e mbjellë. Banorë të fshatit Mushan në komunën e Dajçit në Shkodër i kanë kërkuar drejtuesve të strukturave të shtetit praninë e një fadrome pranë fshatit të tyre për të ndërhyrë në rast nevoje, pasi sipas tyre, argjinatura e lumit Buna ka probleme amortizimi.
"Kjo argjinaturë është ndërtuar më 1964 dhe ka pasur rikonstruksione të pjesshme. Më 2004 e pranverë 2005 kemi pasur shumë përmbytje. Fshati Mushan ndodhet në grykën e lumit Buna dhe po u ça argjinatura pasojat do jenë të rënda për rreth 300 shtëpi të këtij fshati por dhe më tej",- thotë Ramazan Osmani, banor i këtij fshati. Ndërsa Fatmir Mehmeti, kryetar i fshatit Mushan, shprehet se është e nevojshme që të ndërhyhet me mjete në mbylljen e shtigjeve të hapura në argjinaturë pasi andej kalon uji që përmbyt toka e banesa. "Janë shtigje të hapura nga vetë fshatarët për të shkuar më shkurt tek toka e tërhequr andej prodhimin. Por tani ato mbushen me ujë dhe ky depërton më me shpejtësi. Këto duhen mbyllur. Po kështu është e nevojshme ruajtja e argjinaturës pasi nuk ka roje. Ne e ruajmë sa mundemi me segmente të caktuara afër banesave të personave të ndryshëm por nuk ka roje të mirëfilltë. Në rast se kemi çarje të saj, pasojat janë shumë të rënda",- thotë Mehmeti.
Banorë të tjerë shpjegojnë se prita mbrojtëse, nga 1m deri 1.30 m që duhet të jetë, aktualisht është 50 cm pasi në të janë depozituar inerte e materiale të tjera të sjella nga lumi. Argjinatura duhet ngritur se është ulur mjaft dhe kur hapen dhe portat atëherë uji merr përpara tokën bujqësore. Sipas tyre, edhe kanalet anësore të fshatrave janë të bllokuar dhe kjo sjell atë që uji rri më shumë tek toka.