Zjarret shkrumbojnë dy shtëpi dhe një makinë në Tiranë
Tri zjarre kanë rënë në Tiranë gjatë ditës së djeshme, duke sjellë djegien e dy banesave dhe një makine. Mendohet se shkëndija elektrike ka qenë shkaku i tri rasteve, pavarësisht se në kushte të ndryshme. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në orët e natës së të premtes është njoftuar për një zjarr në fshatin Ibë. Me t‘u njoftuar, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Komisariatit Nr. 1, si dhe zjarrfikëset. Por, vonesa e shumtë për të shkuar deri në këtë fshat, ka bërë që të digjet plotësisht kati i dytë i një vile. Burimet policore shpjeguan se është djegur kati i dytë i vilës së Mustafa Hidrit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ndërsa zjarri i dytë është shënuar sërish në zonën e Komisariatit Nr. 1, por këtë radhë në një makinë të parkuar te rruga "Ali Demi". Burimet nga grupi hetimor shpjeguan se mëngjesin e djeshëm, pikërisht në orën 03:30, janë njoftuar se në rrugën "Ali Demi", parkuar përballë lokal "Pirro Mani", ka rënë zjarr dhe është djegur mjeti tip "Opel", me targë TR3926P, pronë e Etleva Stratit. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi i punës, që ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se flakët kanë ardhur nga një shkëndijë në qarkun elektrik të makinës. Ndërsa zjarri i tretë, që ka qenë edhe më i rrezikshëm, është shënuar pasditen e djeshme dhe ka rënë në zonën e ish-Bllokut. Në një pallat të ri, pikërisht në katin e pestë të tij, janë vënë re flakë në një nga apartamentet e shumta. Menjëherë janë njoftuar policia dhe zjarrfikëset, që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Policia bëri të ditur se në të tri rastet, fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar në njerëz, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të larta. Edhe për rastin e fundit, policia shpjegoi se dyshohet që flakët kanë ardhur nga një shkëndijë elektrike, kur nuk ka pasur asnjë person brenda apartamentit.