Vrau për parakalimin, prangoset 23-vjeçari
Pa kaluar 24 orë nga vrasja e 34-vjeçarit Durim Sinani, policia e Komisariatit të Peqinit ka bërë të mundur prangosjen e autorit të krimit dhe shokut të tij që e shoqëronte në momentin kur ka ndodhur vrasja. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Gersi Sallufit dhe Everest Gaçit, të dy banorë të lagjes "Teqe" në Peqin. Të premten, pas një zënke banale, 23-vjeçari Sallufi ka qëlluar me një plumb pistolete në kokë 34-vjeçarin Durim Sinani, lindur në fshatin Përparim të Rrethit të Peqinit dhe banues në qytetin e Durrësit. Ka qenë ora 15:30 e dy ditëve më parë, kur në rrugën nacionale Peqin-Elbasan, te kryqëzimi i rrugës për në fshatin Gjoçaj, 23-vjeçari Sallufi, duke udhëtuar me një "Volkswagen Polo" me targa TR0135J, është parakaluar nga një "BMW X5", që drejtohej nga 34-vjeçari Sinani. Djemtë kanë ndaluar me nervozizëm dhe kanë nisur të debatojnë për mënyrën e parakalimit. Burime nga policia saktësojnë se gjatë grindjes, Sallufi ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në kokë 34-vjeçarin Sinani, i cili më pas ka humbur jetën në spitalin kirurgjikal të qytetit të Elbasanit. Burimet zyrtare të policisë saktësojnë se Sallufi është arrestuar nën akuzën e "Vrasjes në rrethana konfliktuale", ndërsa Gaçi është arrestuar nën akuzën "moskallëzim të krimit dhe përkrahje të autorit pas kryerjes së krimit". Të dy të ndaluarit janë arrestuar në banesat e tyre në qytetin e Peqinit dhe mësohet se në momentin e prangosjes ata nuk kanë bërë asnjë rezistencë ndaj forcave të policisë. Materialet në ngarkim të dy të rinjve tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprime të mëtejshme.