Sherr në shtëpi, zhduket për 24 orë e mitura
Pas një konflikti në familje, një vajzë e re, vetëm 15 vjeçe, është larguar nga shtëpia, duke vënë në alarm jo vetëm të afërmit e saj, por edhe policinë e kryeqytetit. Për më shumë se 24 orë ajo është kërkuar në zona të ndryshme dhe te të njohur të saj, por nuk është gjetur në asnjë vend. E në orët e pasdites ajo është kthyer në banesë, ku ka deklaruar se gjatë gjithë kohës ishte fshehur në oborrin e shtëpisë, me qëllim që të mërziste familjarët e saj, ashtu siç e kishin mërzitur ata. Ngjarja e rrallë ka ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet dhe është regjistruar nga Komisariati Nr. 1. Sipas të dhënave nga policia, dy ditë më parë, pikërisht rreth orës 11:10, është paraqitur në komisariat Blerina Y., 33 vjeçe, e cila ka deklaruar se i ishte larguar motra nga banesa. Ajo ka vënë në dispozicion të policisë fotografinë dhe gjeneralitetet e motrës, duke kërkuar ndihmë që ta kthenin në banesë. Sipas denoncimit, Anduela Y., vetëm 15 vjeçe, ishte larguar nga banesa rreth orës 13:30 të së enjtes dhe nuk ishte kthyer më. Këtë veprim e kishte kryer pas një zënke me familjarët. Në këto kushte, policia ka nisur kërkimin e saj, duke lënë porosi te të gjitha shërbimet e policisë që të kërkojnë. E kur nuk ka rezultuar asgjë nga kërkimet, ka ardhur lajmi i mirë se ajo ishte kthyer në banesë. Familjarët kanë treguar se ajo ishte kthyer rreth orës 18:30 të ditës tjetër. Policia e ka marrë në pyetje adoleshenten në lidhje me largimin e saj. Gjatë deponimit ajo ka deklaruar se gjatë gjithë kohës ka qëndruar e fshehur në oborrin e shtëpisë.