E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galiani: Milani, mes tre të parave në Itali

Milani nuk është në shitje dhe këtë e ka konfirmuar administratori kuqezi, Adriano Galiani. "Klubi nuk shitet. Marrëdhëniet tona me sheikun dhe familjen mbretërore të Dubait lidhen me faktin se ‘Fly Emirates‘ është mes sponsorëve kryesorë, ndërsa ‘Tayer‘ bën pjesë te sponsorët më të vegjël", shpjegoi ai. "Jam i lumtur që djali i sheikut të Dubait është tifoz me skuadrën tonë, por mund të konfirmoj se, si aksionet e vogla, ashtu edhe paketat kontrolluese të Milanit, nuk janë në shitje". Numri 2 bëri të ditur se brenda vitit bilancet financiare nuk do të jenë më negative. "Është merkatoja e 24-t. Në të kaluarën pronarët e ‘Fininvest‘ kanë shpenzuar shumë para, por tashmë, duke parë edhe realitetin, po bëjnë pak pushim. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të rikthehemi sërish protagonistë". Por, largimi i Kakasë dhe mungesa e përforcimeve konkrete ka bërë që abonimet e tifozëve të ecin me ritme mjaft të ulëta. "Mbështetësit tanë duhet ta kuptojnë situatën ku ndodhemi, edhe pse mendoj se një pjesë e madhe e kanë të qartë. Kishim probleme me bilancin, të cilat u zgjidhën një herë e përgjithmonë. Shpresoj që në të ardhme mos të jemi më të detyruar të shesim një lojtar për këtë arsye, shpjegoi Galiani. Objektivi për edicionin e ri? Të renditemi mes tre të parave në Serinë A dhe të qëndrojmë sa më gjatë që të jetë e mundur në Ligën e Kampioneve". Administratori shtoi se blerjet e reja do të vihen në dispozicion të trajnerit Leonardo deri më 6 korrik, ndërsa zbuloi se ka kontaktuar me trajnerin e Arsenalit, Venger, për sulmuesin Emanuel Adebajor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›