Aksidenti në punë, arrestohet dhe lirohet tekniku
Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të firmës, ku gjeti vdekjen një punëtor dhe u plagos një tjetër, ndërkohë që prokuroria ka bërë lirimin e tij. Menjëherë pas aksidentit të dy ditëve më parë në autostradën Tiranë-Durrës, policia ka nisur punën për dokumentimin e kësaj ngjarjeje, duke kryer edhe shoqërimin e Mahir Zylajt, i cili ishte drejtuesi teknik i firmës. Madje, burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, bënë të ditur se u arrestua në flagrancë shtetasi Mahir Eqerem Zylaj, 50 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i firmës "Albbos". Arrestimi i tij u krye për arsye se në fshatin Domje, gjatë punës për montimin e një paneli betoni, si rrjedhojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, është aksidentuar me vdekje Lin Nikoll Voci, 45 vjeç, banues në Tiranë, dhe është plagosur Isa Shefki Lama, 47 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Por, pas kalimit të dosjes në prokurori, rrjedha e ngjarjeve ka ndryshuar. Burimet nga prokuroria bënë të ditur se pas vlerësimit të dosjes është vendosur që personi i arrestuar të lirohet. Në bazë të të dhënave të prokurorisë, ai do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:35 të së enjtes në autostradën Tiranë-Durrës, kur ende pa u shuar mirë jehona e fabrikës së çimentos, ku u plagosën rëndë gjashtë punëtorë, një tjetër skelë është shembur. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar në komisariat administratorin e firmës ndërtuese "Albbos" sh.p.k, që po kryente rikonstruksionin e godinës, Gëzim Kalaverin, si dhe inxhinierin zbatues. Këta të fundit janë marrë në pyetje për të zbardhur shkaqet e vërteta të ngjarjes, ndërkohë që nga hetimet paraprake ka rezultuar se aksidenti tragjik në punë ka ardhur si pasojë e moszbatimit të kushteve të sigurisë teknike në punë.