Tensioni i energjisë, KESH thyen kontratën me konsumatorët
Shumica e shqiptarëve furnizohen me një tension më të ulët nga sa parashikon kontrata që konsumatorët kanë nënshkruar me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Në Shqipëri, megjithëse fuqia e energjisë elektrike e instaluar deklarohet 220 V, në shtëpitë tona vjen shumë e ulët, madje ka zona ku tensioni shkon 137 V. Kontratat e reja (tip) për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë, janë miratuar me anë të vendimeve të ERE-s, Nr.40 dhe 41, datë.31.08.2005. Këto dokumente të miratuara dhe të botuara në fletoren zyrtare Nr.69, viti 2005, duhet të hynin në fuqi në 1 janar 2006. Sipas ligjit, enti furnizues është i detyruar të zbatojë kontratat e lidhura sipas cilësisë së mallit të parashikuar në përmbajtjen e tyre (220 V +/- 10-15%).
Pra, toleranca për tensionin që parashikohet në kontratë është +/- 10% në qytetet, domethënë tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 198 V dhe në +/- 15% në fshat, që do të thotë se tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 187 V.
Gazetarët e "Fiks Fare", me një aparat voltmetri në dorë, kanë shkuar shtëpi më shtëpi në lagje të ndryshme të Tiranës, Durrësit dhe Kavajës, si dhe në fshatra, dhe kanë matur tensionin që vjen në banesa. Qyteti që furnizohej me tensionin më të lartë ishte Kavaja. Në këtë qytet banorët nuk kanë asnjë shqetësim për furnizimin me energji elektrike. Siç duket, rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike për Kavajën nuk paska probleme. Duke parë që në qytete të tjera tensioni është më i ulët nga çka parashikohet në kontratat familjare të KESH-it, menduam se edhe në Kavajë do të gjenim të njëjtën gjendje. Por jo. Tensioni në shtëpitë e banorëve të qytetit të Kavajës shënonte 226 V.
Edhe brenda në Tiranë, sidomos në zonën e qendrës, tensioni ishte diçka më shumë se 220 V. Në zonën rreth e rrotull ish-uzinës së autotraktorëve, tensioni shënonte 219 V dhe 223 V, ndoshta sepse atje pranë ndodhej transformatori kryesor. Në zonën e Rrugës së Barrikadave, 208 V dhe 210 V. Ndërsa banorët e Shishtufinës dhe rrugës "Fortuzi" në shtëpitë e tyre furnizohen me një tension, vlera e të cilit është në kufijtë minimalë që parashikon ligji, 198 V.
Në zonën e Linzës, banorët vuajnë furnizimin me energji elektrike me tension të ulët. Pothuajse të gjithë mbajnë stabilizatorë nëpër banesa, sepse tensioni në këtë zonë shënon 138 V - 139 V. Këto ishin vlerat më të ulëta të tensionit që gjetëm në rrjet. Ndërsa pranë Institutit të Fizikës Bërthamore, tensioni shënonte 223 V, në Laprakë tensioni ishte 208V.
Matje u kryen edhe në unazën e plazhit të Durrësit. Tensioni që gjetëm në shtëpitë e banorëve ishte 147 V dhe 164 V.
Këto ishin vlerat e tensionit që gjetëm në banesat e shqiptarëve, ndërkohë që duhet të theksohet se matjet u bënë gjatë paradites dhe jo në darkë, kur ngarkesa është disa herë më e lartë sesa e ditës.
Nëse shikon pajisjet elektroshtëpiake që shiten në treg dhe që i gjen në shtëpinë e çdo shqiptari, bie në sy se këto pajisje duan një rrymë 220 V - 230 V. Kur tensioni i energjisë elektrike është shumë më i ulët apo i lartë, atëherë këto pajisje dalin jashtë përdorimit dhe koston e paguan konsumatori. Specialistët e kësaj fushe, që pyetëm për këtë problem, deklaruan se është shkelje dhe abuzim nga ana e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, kur tensioni që vjen në banesa nuk është brenda kufijve të parashikuar nga ligji.
Përfaqësuesi i Entit Rregullator të Energjisë, zoti Agim Nashi, shpjegon se "në të gjitha sistemet elektroenergjetike nuk ka sistem konstant të tensionit dhe për këtë janë vendosur norma. Sipas ligjeve që kemi ne në fuqi, është që devijimet e këtij tensioni janë +/- 10% në qytete, domethënë tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 198 V dhe +/- 15% në fshat, që do të thotë se tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 187 V. Në zonat rurale toleranca është më e madhe, pasi vështirësitë për shpërndarjen e energjisë nëpërmjet rrjetit janë më të mëdha". Pra, zoti Nasho është i vetëdijshëm që fshati apo zona të veçanta të qyteteve furnizohen me një tension shumë të ulët, por për këtë fajin e ka rrjeti i amortizuar, ndërkohë që kostoja bie gjithmonë mbi konsumatorin. Madje, sipas tij, për pajisjet ndriçuese, domethënë abazhurët e ndriçimit dhe mjetet e informimit, nuk ka problem nëse tensioni është jashtë normave të lejuara. Ndërkohë që ish-drejtori i KESH-it, Andis Harasani, e quan gjithashtu shkelje dhe abuzim që bëhet me qytetarët. "Është një shkelje e pastër e kontratës mes KESH-it dhe klientit dhe të gjitha dëmet që shkaktohen nga luhatjet e tensionit, janë dëme që KESH-i duhet t‘i paguajë", thekson zoti Harasani.
Edhe shefi i kabinetit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu, nga ana e tij është në të njëjtën linjë. "Kemi të bëjmë me një parregullsi dhe moszbatim të pikave të kontratës. Kemi të pranishme shumë mundësinë e dëmtimit të pajisjeve të ndryshme", shtoi ai. Disa herë Avokati i Popullit ka ngritur problemin e pakënaqësisë së banorëve të zonave rurale për nivelin mjaft të dobët të voltazhit në krahasim me zona të tjera urbane, çka nuk premton për mbajtjen në punë të pajisjeve elektroshtëpiake dhe për ndriçimin optimal në kohën e darkës.
Madje, kjo praktikë e ndjekur nga KESH-i në këto zona, krahas aspekteve dhe vështirësive teknike, mbetet një diskriminim dhe shkelje e hapur e të drejtave të konsumatorit. Në rekomandimet e tij drejtuar ERE-s dhe KESH-it, Avokati i Popullit ka kërkuar që të kryhet një analizë e gjithanshme për të përmirësuar sa më parë ato aspekte që kanë nevojë emergjente për ndërhyrje. Gjithashtu ka rekomanduar edhe rritjen e cilësisë së shërbimit në furnizimin me energji elektrike për banorët e zonave rurale dhe eliminimin e dallimeve apo trajtimit të pabarabartë të tyre në raport me konsumatorët e tjerë.
Kontrata parashikon që toleranca për tensionin është +/- 10% në qytete, që do të thotë se tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 198 V dhe në +/- 15% në fshat, që do të thotë se tensioni nuk duhet të jetë më i ulët se 187 V
Matjet e tensionit, të kryera nga "Fiks Fare" gjatë orëve të paradites:
Kavaja 226 V
Zona e ish-uzinës së autotraktorëve 219 V - 223V
Rruga e Barrikadave 208 V dhe 210 V
Shishtufina 198 V
Rruga "Fortuzi" 198 V
Linzë 138 V - 139 V
Zona e Institutit të Fizikës Bërthamore 223 V
Lapraka 208 V
Unaza e plazhit të Durrësit 147 V dhe 164 V