KESH, dështon tenderi për vlerësimin e aseteve
Tenderi për gjetjen e shoqërisë audituese, e cila do të vlerësonte bilancin financiar të KESH-it, ka dështuar për të dytën herë radhazi. I parashikuar të zhvillohej në fund të muajit shkurt, tenderi është shtyrë për mungesë të ofertave. Dështimi për auditimin e bilancit financiar 2007, nga i cili mësohet gjendja ekonomiko-financiare e KESH-it, mund të sjellë vonesa në procesin e privatizimit të njërit prej sektorëve, OSSH, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Përveç bilancit financiar të korporatës, shoqëria audituese duhet të vlerësojë dhe bilancin e kredive të marra nga donatorët, pra në cilën gjendje ndodhet shuma e tyre. Njoftimi për anulimin e tenderit ka dalë këto ditë nga Agjencia e Prokurimit Publik. Qeveria ka vendosur afat muajin qershor 2007 për hapjen e ofertave, ndërsa në muajin prill do të bëhet shpallja e hapjes së tenderit.
Financat
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka marrë shumë kredi nga donatorët, gati 241 milionë euro në pesë vitet e fundit. Pyetja që është shtruar këto ditë në debatet mes deputetëve dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, qëndronte në faktin se këto borxhe do t‘i mbeten pjesës tjetër të KESH-it, ku vetë OSSH-ja nga kjo shumë ka 140 milionë euro kredi të marra për investimet, apo investitori strategjik do të marrë përsipër borxhet, meqenëse investimi është i përfshirë brenda në çmimin e shitjes dhe amortizimi do të vijë me shlyerjen e kredisë. Gazeta zbulon faktin se Ministria e Ekonomisë po shqyrton idenë se investitori duhet ta shlyejë vetë këtë pjesë të borxhit, natyrisht pa ndryshuar kontratat me Bankën Botërore dhe BERZH-in (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), pasi do të mbetet sërish KESH-i huamarrës. Tjetër e re është se pronarit të ri të OSSH-së do t‘i caktohet një kuotë prej, për shembull, 10 milionë eurosh në vit për shlyerjen e borxheve dhe shumica e tyre kanë afat shlyerjeje vitin 2040.
Skedimi
Niveli i borxheve është identifikuar duke inventarizuar një më një të gjitha investimet. Rezultati: borxhi shkon në shifra të konsiderueshme. Shtyrja e auditimit të bilanceve financiare 2007 krijon pasaktësi në vlerësim real të detyrimeve të KESH, përfshirë dhe OSSH-në. Megjithatë, METE e ka një përllogaritje të përafërt të kësaj shume dhe ndërkohë është duke menduar për mënyrën se si do të vilen. Mësohet nga burime të sigurta pranë ministrisë se pronari i OSSH-së, që do të blejë 51 deri në 76 për qind të aksioneve, do t‘i shlyejë borxhet te KESH në shifra deri 3 milionë euro në vit, e më tej korporata do t‘i transferojë te donatorët. Për këtë skemë, si BB, ashtu dhe BERZH kanë rënë dakord. Problemi i vetëm mbetet çmimi i shitjes, pasi përveç kredive të marra, KESH ka të tjera "halle" me debitorët, konsumatorët që kanë marrë energji që nga viti 1992 dhe nuk e kanë shlyer atë. Shifra për këtë shkon deri në 372 milionë euro, vetëm për konsumatorët privatë, pasi buxhetorët janë shlyer. "Shqetësues është identifikimi i kësaj fature, pra cilat janë realisht familjet debitore ndaj KESH", tha këtë javë ministri. Për këtë qeveria duhet të garantojë investitorin se këtë borxh e ka të sigurt se do ta mbledhë, në mënyrë që të përfshihet në çmimin e shitjes së 76 për qind të aksioneve. "Ne kemi menduar që në bilanc të vendosim ato borxhe ku të dhënat i kemi shumë të sakta", shtoi Ruli. Për sa u përket borxheve të reja nga viti 2007 deri në mesin e këtij viti, që shkojnë në 50 milionë euro, do të përfshihen në bilanc për t‘u shitur me asetet e OSSH-së. Lidhur me 370 milionët e eurove, pas verifikimit të kësaj shume pjesa e saktësuar do të mblidhet nga pronari i ri në bazë të një kontrate që do të lidhë KESH me të. Kështu, mësohet se për çdo 100 lekë të mbledhura, 20 do t‘i mbajë investitori i ri, ndërsa pjesa tjetër do shkojë te KESH, për ta nxitur më tepër, dhe kjo do vendoset në kriteret e privatizimit.