E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët u caktojnë pacientëve farmacitë ku të blejnë ilaçet

Para disa ditësh u bëra dëshmitar pa dashje i një skene të denjë për emisionin "Fiks Fare". Isha duke pritur radhën për vizitën mjekësore në Poliklinikën e lagjes Nr. 10 në Tiranë. Sapo një qytetar para meje doli nga dhoma e mjekes së turnit dhe unë u mata të hyja, për pak u përplasa me mjeken, e cila e kapi pacientin e moshuar duke i ripërsëritur, mesa duket, edhe një herë ato që i kishte thënë brenda: "E more vesh, ku do shkosh t‘i marrësh ilaçet?... Nuk është larg! Tek supermarketi… kërko farmaci… dhe ta tregojnë menjëherë!"

Fillimisht sugjerimin e mjekes së lagjes sonë e mora për përkujdesje. Por, pastaj, kur edhe unë përfundova vizitën dhe ajo bëri të njëjtën sugjerim, më bëri të dyshoj. Duke më lënë recetën në dorë, mjekja këmbënguli edhe pas vërejtjes sime se "kisha 5 vjet që ilaçet i merrja te farmacia afër shtëpisë": "Dëgjo mua! Kjo farmaci që është hapur tani i ka ilaçet më cilësore!" Sidoqoftë, nuk mund të veproja ndryshe, pas asaj që më tha duke më përcjellë: "Do vish prapë këtu!" Nuk ishte e vështirë të konstatoja se edhe disa shokëve e fqinjëve të mi, jo vetëm kjo mjeke, por edhe kolegë të saj, kanë disa muaj që iu diktojnë dhe gati i detyrojnë që ilaçet dhe kurat mjekësore t‘i marrin tek e njëjta farmaci. Fakt është që farmacia ku na orientojnë është e re dhe jemi të detyruar të braktisim ato farmaci ku kemi tërhequr ilaçet deri tani.

Kurioziteti, por edhe debatet mes ne pensionistëve dhe të sëmurëve kronikë, na kanë shpënë në disa hipoteza që mund të ndriçojnë të vërtetën rreth kësaj enigme. Për më tepër, kur pothuaj kemi të njëjtat ilaçe të prodhuara nga të njëjtat firma dhe që na tregtohen me të njëjtat çmime, duke lënë mënjanë etikën, orientimi i pacientëve nga mjekët e poliklinikave apo spitaleve publike drejt farmacive apo laboratorëve përkatës, të paracaktuar, të lë shijen e korrupsionit. Sepse nuk ka logjikë tjetër pse mjekët këmbëngulin (deri edhe të kërcënojnë në rast se vepron ndryshe) për të frekuentuar një farmaci të caktuar. Enigma e çmimit të njëjtë të ilaçeve, duke i krahasuar me farmacitë e tjera, të shpie në konkluzionin se ose kemi të bëjmë me cilësi të ndryshme të tyre, ose mjekët paguhen nën dorë nga farmacistët dhe grosistët e ilaçeve, duke pranuar përkohësisht ta ndajnë një pjesë të fitimit. Sipas disa të dhënave, ka një bashkëpunim mes farmacive të caktuara dhe mjekëve, të cilëve në fund të çdo muaji u jepet "rroga plus" nga pronarët e farmacive. Madje të dyja palët, mbajnë shënim recetat dhe klientët që kanë rekrutuar për njëri-tjetrin. Në çdo rast kemi të bëjmë me praktika të paligjshme, korruptive, të dënueshme. Në mjekësi kjo formë korrupsioni po përhapet me shpejtësi. Për më tepër, me sa duket, ndryshimi i pushteteve, ka ngjallur oreksin e subjekteve të reja tregtarë, të cilat duke u favorizuar nga administrate e re, kërkojnë të pushtojnë tregun përmes konkurrencës së pandershme dhe presioneve korruptive. Sepse, nuk është e rastit që çdo rotacion politik shoqërohet me një fluks të ri biznesi që favorizohet në kurriz të biznesit tradicional. Madje, sa herë që ndërrohet ministri i Shëndetësisë kemi menjëherë edhe laboratorë të rinj, edhe farmaci të reja që iu bëjnë karshillëk biznesit me përvojë. Orientimi i pacientëve drejt njësive të paracaktuara të tregtimit të ilaçeve është një korrupsion i pastër, madje me prirje kriminale pse ka të bëjë direkt me shëndetin e njerëzve. Nuk mund të ketë politikë "të duarve të pastra" kur mjekët pranojnë me lehtësi të njollosin "bluzat e tyre të bardha".

Sabri Dema

Lagjja 10, Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›