E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet i kërkuari për drogë, i ishte arratisur policisë

Një i dënuar me 5 vjet burg për shitje hashashi është arrestuar nga policia dje, pasi herën e parë të arrestimit kishte mundur të arratisej nga duart e policëve. Ngjarja ka ndodhur rreth dy vite më parë, ndërkohë që ditën e djeshme, policia ka mundur t‘i vendosë sërish prangat. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit u ndalua shtetasi në kërkim, Endrit Kujtim Toska, 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burg, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se më datën 17 shtator të vitit 2006, gjatë festës së organizuar në fshatin Pezë të Tiranës, agjentët e antidrogës, të dislokuar aty, kanë qenë duke vëzhguar një grup të rinjsh, pasi kanë dyshuar se ishin përdorues droge. Në këtë kohë, Toska është afruar te ky grup dhe është takuar me dy persona. Në moment, punonjësit e policisë kanë ndaluar 20-vjeçarin si dhe Kledion Shijakun, ndërkohë që një person tjetër është larguar. Policia ka kërkuar t‘i kontrollojë dy personat e lartpërmendur, pasi ka dyshuar se kishin bimë narkotike. I pandehuri, pasi ka hedhur një qese në tokë, ka shtyrë njërin nga agjentët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, duke përfituar nga errësira dhe numri i madh i të pranishmëve. Policia është vënë në ndjekje të tij, por deri dje nuk kishte mundur ta arrestojë. Tashmë, ai do të dërgohet në qeli, ku do të vuajë dënimin me pesë vjet burg të dhënë nga Gjykata e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›