E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinika "Nënë Tereza", është apo nuk është spital?"

Pacientët e para viteve ‘90 ishin të qetë kur shkonin në spital. Dhe pse teknologjia asokohe nuk matej me parametrat e sotëm, ata mund të shëroheshin në ambiente të pastra, mund të merrnin ndihmën e kërkuar e madje mund të qetësoheshin edhe nga vështrimi dashamirës i mjekut, që i ftonte të ndiqnin këshillat e mjekimit. Sot ka ende të tillë mjekë, janë ata që respektojnë punën, profesionin dhe institucionin e punës.

Por, në Spitalin Universitar, me parametra shëndetësore siç ishte QSUT-ja para 20 vjetëve, është vështirë të punosh sot.

Kushtet që të ofronte puna dhe prestigji që kishin mjekët kur punonin në një qendër universitare janë disa nga faktorët që bëjnë diferencën e profesionit të mjekut sot dhe para viteve ‘90. E sa për pacientët, ata tani ndihen të mjerë, jo vetëm nga ata mjekë që nuk i njohin normat elementare të qytetarisë dhe humanizmit, por më shumë për kushtet dhe mënyrën se si i trajton infrastruktura në spital, dollapi i ilaçeve apo dhomat ku ndodhen pajisjet e diagnostikimit.

Pacientët sot ndihen keq që shërbimi i laboratorit shpeshherë nuk bën asgjë më shumë se sa një analizë të thjeshtë gjaku. Dhe të gjitha këto ndodhin në një qendër madhështore universitare, ku jo vetëm jepet shërbim më i mirë, por ku mësojnë edhe studentët e Mjekësisë. Sot për gjendjen në të cilën ndodhet ky spital "gjigant" nuk është përgjegjës 1 apo 10 persona. Për "sëmundjen" e tij janë fajtorë të gjithë, të gjithë ata që kanë në dorë për ta kthyer atë në një qendër normale spitalore. Në një qendër ku pacienti të jetë i qetë, të gjejë pastërti, kujdes dhe jo për një spital ku duhet të kesh frikë se mos të shtypë ndonjë makinë me shpejtësi, si ajo që shtypi një qytetare pak kohë më parë, mu aty brenda mureve të institucionit shëndetësor, apo ku mund t‘i ngelesh mjekut në dorë, sepse kanë mbaruar ilaçet.

Në një intervistë për gazetën "Shqip", profesor doktor Ahmet Kamberi, ish-ministër i Shëndetësisë, ish-drejtuesi i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë, sot kardiolog në klinikën I të kardiologjisë, rrëfen se çfarë parametrash duhet të ketë një spital universitar.

Profesor Kamberi, shumë qytetarë ankohen për shërbimin shëndetësor. Ju jeni pjesëtar i këtij shërbimi, madje keni qenë edhe drejtues i tij. Ǒmund të na thoni, kanë apo nuk kanë të drejtë ata që ankohen?

Pyetje shumë e koklavitur. Nuk kam kohën dhe as hapësirën e nevojshme për t‘iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Mund t‘ju them vetëm se është e vërtetë që kam qenë drejtues, por në shkallët e atij posti jam ngjitur pa asnjë kapërcim, duke u nisur nga ndihmës-mjek e mjek i thjeshtë. Me një fjalë, është e vërtetë se i njoh të gjitha problemet e këtij sektori. Së dyti, mund t‘ju them se qytetarët kanë dhe nuk kanë të drejtë të ankohen. Kanë të drejtë se shërbimi që ata kërkojnë është larg të qenit i tillë. Nuk kanë të drejtë, se janë pjesë e përgjegjësisë. Por, siç ju thashë unë nuk kam kohën dhe hapësirën e nevojshme për një analizë të tillë. Unë, tani, jam drejtpërdrejt i shqetësuar për vendin ku punoj, QSUT "Nënë Tereza" dhe për të mos mbetur pjesë e përgjegjësisë qytetare, mund t‘ju thosha diçka nëse keni ndonjë interes.

Edhe këtu kisha në plan të vija, nuk ka pak ankesa e kritika edhe për këtë spital, si nga të sëmurët ashtu edhe nga publiku, madje dhe nga instanca drejtuese. Ju ç‘mund të thoni?

Ǒmund të them? Po. Mund të jetë e kuptimshme të them diçka.

Së pari, dhe jo pa dhimbje, duhet të pohoj se spitalet klinike që përbëjnë sot QSUT-në, kanë qenë spitale të admirueshme, ku ndonëse ato nuk ishin aq mirë të pajisura edhe me teknologjinë e kohës, të sëmurët gjenin kujdesin mjekësor e njerëzor të dëshirueshëm, ku publiku ishte i kënaqur dhe ku personeli mjekësor, nga sanitarja te mjeku e profesorët ndiheshin të nderuar që punonin aty. Këto spitale ecnin në gjurmët e një tradite të shkëlqyer profesionale të spitalit civil të Tiranës që nga viti 1935. Në spitalet klinike të Tiranës, punuan dhe u formuan mjekë e specialistë të shkëlqyer, të cilët ngritën jo vetëm standardin e kujdesit mjekësor të këtyre spitaleve, por edhe të gjithë Shqipërisë, sepse këtu u formuan të gjithë specialistët që shërbyen anekënd vendit. Këtu punuan dhe u formuan infermiere të mrekullueshme. Motivimi i mjekëve dhe infermiereve ishte i lartë. Vetëdija profesionale e tyre ishte motori që i mbante të gatshëm e të palodhur në punë. Ata nuk paguheshin më mirë se disa profesione të tjera. Por, në raport me kohën, ata kishin kushtet dhe mjetet e nevojshme për të kryer me dinjitet detyrën e tyre. Ata vlerësoheshin, duheshin dhe nderoheshin nga të gjithë. Ata që janë ose vazhdojnë të punojnë edhe sot, ndihen krenarë për mënyrën se si u kanë shërbyer njerëzve dhe vendit. Unë nuk i them këto për të mburrur të kaluarën e këtyre spitaleve, por i them se ne të gjallët, që vazhdojmë të punojmë ende, e kemi për detyrë të bëjmë të ditur punën e pashoqe të bërë në spitalet klinike të Tiranës, të vlerësojmë e të nderojmë kujtimin e atyre mjekëve, pedagogëve e profesorëve të shkëlqyer dhe të infermiereve e laboranteve të mrekullueshme që punuan dhe u formuan këtu dhe e ngritën e mjekësinë shqiptare në nivel të lartë. Në atë nivel që na e lanë neve për ta vazhduar e ngritur më tej. E them, jo për nostalgji, se unë personalisht arrij ta gjej kënaqësinë time nga puna e përditshme për kujdesin ndaj të sëmurëve që mjekoj, me gjithë vështirësitë e panumërta që ndeshen, nga studentët të cilët mësoj dhe nga bashkëpunimi me mjekët e rinj e kolegët e mi të vjetër, me të cilët ndajmë vështirësitë e punës. Por e them se, si çdo pjesë të historisë, të cilën nuk e kemi jetuar vetë, shpesh nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë realisht ose për arsye të ndryshme e gjykojmë në mënyrë të gabuar, pa mundur të nxjerrim mësimet e duhura prej saj, për ta bërë të sotmen më të mirë se të djeshmen dhe për ta projektuar të nesërmen më të mirë se të sotmen. Sot ata që shtrohen në QSUT nuk e dinë se si kanë qenë këto spitale para 18 vjetësh. Këtë nuk e di as publiku që viziton sot këto spitale. Por këtë nuk e di as vetë personeli i ri mjekësor e jomjekësor. Kjo po çon në krijimin e një psikologjie të re të përgjithshme, të rrezikshme për atë çfarë konsiderohet të jetë një spital.

Po pse? QSUT-ja nuk është një spital?

Jo, unë nuk po them këtë, por mund t‘ju them se ç‘është një spital. Spitali është një institucion mjekësor, ku shtrohen të sëmurët që nuk mund të mjekohen në kushte shtëpie, ose që nuk mund të diagnostikohen në kushte ambulatore, pra njerëz që vuajnë fizikisht e psikologjikisht, ose që u kërcënohet jeta. Pra, ata vijnë këtu për t‘u shëruar. Në spital ka vend si për ata të sëmurë me probleme të vogla, deri për ata që duhet të luftojnë me vdekjen. Jo vetëm profesionistët, personeli i spitalit, por kushdo që e vret fare pak mendjen e kupton se për t‘u ardhur në ndihmë këtyre qenieve njerëzore në vuajtje, që problemet shëndetësore i detyrojnë të rrinë shtrirë në spital, u duhen krijuar një sërë kushtesh për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Ata kanë nevojë për qetësi fizike, qetësi shpirtërore, pastërti, ushqim të përshtatshëm, barnat e nevojshme dhe mjetet mjekuese, analizat e nevojshme laboratorike, ekzaminimet e nevojshme instrumentale, dashuri e respekt njerëzor, personel mjekësor të sjellshëm, të kujdesshëm, të ditur e dëshirimisht të devotshëm, mjedis të jashtëm të qetë, mundësisht të gjelbëruar e larg zhurmave të qytetit. Në një institucion të tillë si i sëmuri, publiku ashtu dhe personeli mjekësor e jomjekësor, psikologjikisht e ndiejnë veten në spital dhe që të tre këta e përshtatin sjelljen e tyre si në një spital. Në kuptimin tim si profesionist, ky është institucioni mjekësor që quhet spital. Por një spital universitar nuk është vetëm vendi ku diagnostikohen, mjekohen e shërohen të sëmurët. Ai është gjithashtu vendi që shërben për formimin e studentëve të Mjekësisë (mjekëve e infermierëve të ardhshëm), për formimin specialistëve te rinj, vendi për kërkime shkencore në dobi të ngritjes së standardit të kujdesit mjekësor të vendit, si dhe një këshilltar i administratës shëndetësore për caktimin e përparësive lidhur me kujdesin mjekësor, pasi në një qendër të tillë përqendrohen profesionistët më të kualifikuar.

Domethënë?

Dom thënë, unë ju kam thënë se cili institucion mjekësor mund të quhet spital sipas një profesionisti. Të tjerat gjithsekush i gjykon sipas mënyrës, botëkuptimit dhe përgjegjësive të tij.

E shikoni se ç‘ndodh në oborrin e QSUT-së, në qoftë se ju guxoni ta quani këtë një oborr spitali? Ky është një parking gjigant dhe rrugëkalim automjetesh në të gjitha anët dhe nga i gjithë vendi. Aq i mbrapshtë është ky trafik i denjë për qendrën e qytetit, sa para disa ditësh u aksidentua edhe një këmbësore e re. Ju siguroj se ky është institucioni i vetëm në botë ku ekziston një katrahurë e tillë dhe një përçmim kaq i ulët për njerëzit, të cilëve ai u shërben. Personeli që punon këtu e ka të pamundur të kryejë detyra urgjente, kur puna ia kërkon të lëvizë nga një spital në tjetrin, pa folur që duhet të jenë tepër të vëmendshëm për të mos e pësuar kur vijnë e shkojnë nga puna. Mendoni se si mund të dëgjojë një mjek me stetoskopin e tij tingujt që vijnë nga zemra e mushkëritë për të gjetur sëmundjen që i prodhon ato, në një mjedis të brendshëm e të jashtëm më gumëzhitës se bulevardi "Dëshmorët e Kombit" ose sheshi "Skënderbej". Dhe kjo sa vjen e bëhet më keq dhe më e shëmtuar. Askush nuk mund të bindë kurrkënd se kjo është një gjë e pandreqshme, e për më keq se mund të jetë në të mirë të institucionit.

E shikoni sa policë ka në këtë qendër? Përjashta policë për trafikun e automjeteve dhe për parkimin. Në çdo hyrje kryesore dhe në shumë hyrje pavijonesh policë për të ndaluar publikun të hyjë brenda në çdo kohë. Dhe brenda të gjitha mjediseve të spitalit e pavijoneve, ku të sëmurët presin të shërohen, publiku lëviz si në një rrugë të mbingarkuar qyteti dhe ku, personeli mjekësor pengohet të kryejë detyrat e tij. Ju besoni se do të kishte më shumë qytetarë brenda spitalit në çdo kohë të ditës e natës po të ishin portat e dyert hapur? Unë besoj se jo. Ky publik, psikologjikisht nuk ndihet, se është në një vend ku pret që njerëzit e tyre të dashur, ose njerëz të tjerë të ngjashëm me ta, të shërohen sa më shpejt. Aq e dendur është lëvizja e publikut jashtë e brenda këtij institucioni, sa ky i fundit është kujdesur të ndërtojë edhe disa nevojtore publike në oborrin e tij. Pyetja ime në këtë rast është se përse është i nevojshëm ky tabor policësh. Unë vetë nuk kam përgjigje për këtë. Por një gjë është e kuptueshme, as ata që e kanë krijuar, që e lejojnë dhe e përkeqësojnë këtë gjendje, as publiku që hyn e del si në pazar, as drejtuesit e makinave që lëvizin si në bulevard e që parkojnë si në një parking publik të stërmadh nuk janë të vetëdijshëm se ky institucion këtu, që quhet Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" është një vend i shenjtë. Këtu ndodhen rreth 1000 njerëz të sëmurë që presin të shërohen...

Po të sëmurët profesor, ata të paktën a e ndiejnë veten si në spital?

Oh, jo. Për fat të keq jo. Së pari, ata mezi transferohen nga reparti i urgjencës në pavijone. Ata vijnë në pavijone me veshjen e tyre dhe me pajisjet e veta të shtratit. Ju thashë, ata i nënshtrohen një zhurme në mjediset e spitalit si në një pazar. Pa zënë në gojë se ç‘bëhet përjashta. Të sëmurëve deri para disa muajve u shërbehej ushqimi në enët e tyre ose në enë të improvizuara nga ata vetë. Tani kjo është përmirësuar disi, por nuk është përmirësuar dieta. Nuk ka dieteist në këtë qendër dhe nuk ka dieta të përcaktuara profesionalisht për sëmundje të ndryshme, edhe pse formalisht flitet për tipa të ndryshëm. Ata nuk kanë kushte për dushe ose banjë. Atyre u mungojnë shumë nga barnat e domosdoshme për shërim dhe detyrohen t‘i blejnë vetë jashtë spitalit. Kur shtypi e ka ngritur këtë problem ndonjëherë i kanë vërshuar shumë përgënjeshtrime dhe sulme mbi mjekët e infermieret që krijojnë vështirësi të tilla. Por unë po ju them se është krejt e vërtetë. Problemet që mund të vijnë nga mjekë a infermiere të caktuar nuk janë të vetmit, për më tepër ato janë të rregullueshme më kollaj se çdo tjetër, po të kishte vërtet furnizim të mjaftueshëm me barna e mjete mjekimi. Unë e vuaj vetë në kurrizin tim, se jam i detyruar përditë t‘ju propozoj të sëmurëve të blejnë barna jashtë spitalit. Madje, një ditë mjekja që punon me mua, kur i thashë t‘i bëjë recetë një të sëmuri, më tha se nuk mund ta bënte, pasi i vinte zor. Nga 5 barnat që ai duhej të merrte, 3 prej tyre ai i kishte të blera. Jo rrallë të sëmurëve nuk mund t‘u bëhen analizat e nevojshme, për shkak të mungesave të ndryshme në laborator. Ka pasur raste që nuk bëheshin edhe të tilla analiza, që në vitet ‘60 të shekullit të kaluar bëheshin rregullisht, por sigurisht jo me teknologji moderne. Për të mos thënë që në klinikën ku unë punoj nga 4 marsi e këtej janë bërë vetëm një numër krejt i kufizuar analizash të thjeshta urgjence dhe nuk bëhen analizat e domosdoshme biokimike për diagnostikimin e të sëmurëve ose vlerësimin e gjendjes së tyre. Tani të sëmurët duhet të blejnë vetë edhe elektrodat që u duhen për të bërë testet e domosdoshme diagnostikuese. Kjo sigurisht që është e paimagjinueshme për një spital çfarëdo. Ka pasur një rast në klinikën e kardiokirurgjisë, tani afër, që të sëmurë të rëndë kanë pritur 3-4 javë të shtruar, për ndërhyrje të domosdoshme kirurgjikale në zemër, thjesht për mungesë të një bari të nevojshëm, me kosto ndoshta më të vogël se mbajtja aty e vetëm njërit prej tyre për 4 javë. Këto janë vetëm disa nga shkaqet që më erdhën të parat në mend, të cilat i bëjnë të sëmurët të mos e ndiejnë veten si në spital. Natyrshëm, kjo përcakton edhe mënyrën e sjelljes së tyre. E megjithatë në këtë qendër ka shumë mjekë e infermiere shumë të mira që u shërbejnë atyre plot dhembshuri.

Atëherë, të paktën personeli mjekësor duhet ta ndiejë veten si në spital apo jo?

Mjerisht jo. Ky më pak se gjithë të tjerët. Duhet kuptuar që personeli mjekësor, ka një psikologji të veçantë, e cila në pamje të caktuara ndryshon nga e shumë profesioneve të tjerë. Sapo hyn në territorin e spitalit ai fillon të mënjanojë çdo preokupacion tjetër, përveç atij të kujdesit për të sëmurët e tij. Kur hyn në pavijon ai ka harruar çdo gjë tjetër që nuk ka të bëjë me të sëmurët e tij dhe e ka përqendruar gjithë fuqinë e mendjes së vet në kryerjen e detyrës. Kjo parapërgatitje psikologjike bën që të maksimizohet efektshmëria dhe rendimenti i tij. Por ai nuk hyn në një oborr spitali, ai ecën drejt godinës ku punon, duke ruajtur kokën. Ai nuk hyn në një pavijon, që në vetëdijen e tij profesionale është një vend i shenjtë. Ai ndodhet mes një ecejake pa fund qytetarësh që hyjnë e dalin me punë e pa punë, rastësisht ose qëllimisht. Ai ndodhet para të sëmurit që e vështron në dritë të syrit për të gjetur shpresë dhe nuk është i zoti ta ndihmojë atë ashtu siç duhet dhe ndonjëherë hiç fare. Ai shkon të lajë duart dhe duhet t‘i fshijë në bluzën e tij, se nuk ka peshqir ose ndonjë mjet tjetër tharës. Atij nuk i lahet bluza që vesh në punë, por duhet ta bëjë vetë atë. Unë kam 16 vjet që bluzën time që vesh në spital e laj në shtëpi me rrobat e familjes. Kjo nuk ndodh gjëkundi. Ai ka një copë herë të lirë, por s‘ka ku të lexojë dhe çfarë të lexojë për të ndihmuar të sëmurët e tij, ose për të rritur aftësitë e tij profesionale. E të tjera e të tjera si këto. Kush mund ta kuptojë, përveç atij vetë, se sa keq ndihet një mjek para të sëmurit të tij kur ai e di fare mirë se ç‘duhet të bëjë dhe nuk ka mjetet e domosdoshme për ta bërë atë. Mendoni se ç‘plagë merr shpirti i tij në mënyrë të përsëritur. Ai merr plagë jo vetëm kur nuk ka mundur ta ndihmojë të sëmurin për shkak të mungesave, por në mënyrë të natyrshme edhe atëherë kur ka bërë gjithçka duhej bërë, por pa sukses. Mendoni, pastaj për mjekët që bëjnë rojë në QSUT, të cilët ndodhen dhjetëra herë gjatë ditës e natës para vështirësive të tilla, sepse u mungojnë barnat dhe mjetet më të domosdoshme për situatat jetëkërcënuese. Në kushtet e një gjendjeje të tillë psikologjike, të mangësive të shumta, të padrejtësive, të sjelljeve primitive ndaj tyre, ndonjëherë deri në poshtërim, si dhe të ofertave për të siguruar veprime ose përfitime të padrejta, por edhe duke kujtuar se dhe shërbimin normal mund ta përfitojnë në mënyrë të tillë, duke i shtuar këtyre edhe psikologjinë e përgjithshme të një kulture joqytetare, një pjesë e mjekëve dhe personelit tjetër viktimohen dhe përftojnë sjellje joprofesionale deri dhe të dënueshme. Të gjitha këto të marra së bashku, plus plot mangësi të tjera, përfshi dhe nevojat e tyre për një jetesë relativisht të pëlqyeshme e minimizojnë motivimin, efektshmërinë e rendimentin e tyre. Por nuk duhet harruar se në 1997-ën dhe 1998-ën, kur shumëkush u struk nëpër qoshe të sigurta, mjekët dhe infermieret e kësaj qendre mjekësore nuk e lanë për asnjë çast vendin e tyre të punës dhe i kryen me vetëmohim detyrat ndaj të sëmurëve e të plagosurve. Ky ishte morali i vërtetë dhe vetëdija profesionale e mjekëve dhe infermiereve të kësaj qendre spitalore. Do të duhej bërë çmos për ta ruajtur këtë moral dhe motivim të tyre.

Duhet të dini gjithashtu se, në krahasim me 18 a 20 vjet më parë, QSUT-ja është pajisur me një teknologji shumë më të mirë dhe që i mundëson asaj të kryejë detyra shumë më të ndërlikuara. Ajo ka specialistë të aftë, të cilët kanë zotësinë të bëjnë shumë më tepër se ç‘arrijnë të bëjnë sot dhe ta ngrinin në një nivel më të lartë kujdesin mjekësor e shërbimin ndaj të sëmurëve e qytetarëve. QSUT-ja është një pasuri kombëtare e pallogaritshme. U takon të gjithë shqiptarëve, por në radhë të parë atyre që e kanë për detyrë, ta mbrojnë atë nga degradimi dhe ta shndërrojnë në një qendër të tillë mjekësore dhe kërkimore shkencore, për të cilën çdokush të ndihej i kënaqur dhe krenar. Asaj nuk i mungon personeli mjekësor dhe teknologjia për t‘u bërë e tillë (në qoftë se për këtë teknologji do të tregohej kujdesi i nevojshëm për të siguruar mirëmbajtjen dhe furnizimin e saj me materialet e nevojshme për mirëfunksionimin e saj).

A do të kishit ndonjë mesazh profesor, për t‘ua përcjellë lexuesve tanë?

Unë mendoj se gjithë sa biseduam deri tani e përmban një mesazh, por po të doni ju një mesazh tjetër të drejtpërdrejtë, do t‘u drejtohesha të gjithëve pa përjashtim: Pa mjekë nuk ka mjekësi. Prandaj, mos i fusni të gjithë mjekët në një thes. Të gjithë ne, vetë ose të dashurit tanë, në një çast të caktuar të jetës kemi ose do të kemi nevojë për mjekun, do të kemi nevojë për të na shpëtuar nga ndonjë telash shëndetësor ose nga shkurtimi i jetës. Ky njeri, në të gjitha kohërat ka qenë i dashur dhe i nderuar. Kërkoni dhe mbështetni krijimin e kushteve të domosdoshme që ai ta kryejë me dinjitet detyrën e tij. Përpiquni ta ruani atë nga deformimet e imponuara dhe mos ia ushqeni ju vetë ato. Përpiquni të ruani motivimin e tij të lartë. Mbështetni dhe kërkoni kualifikimin e tij të pandërprerë. Mbështetni dhe kërkoni formimin e shëndetshëm dhe me standard të lartë të mjekëve të rinj dhe të infermiereve. Mbështetni trajtimin e tyre të drejtë e të pëlqyeshëm. Mbështetni dhe kërkoni ndëshkimin e merituar për çdo sjellje joprofesionale të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›