Angli, antidroga prangos 8 shqiptarë
Pas tre vitesh survejim, antidroga angleze ka shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare, që shiste kokainë në qytetin e Oksfordit dhe Anglinë Veriore. Gjatë operacionit policor, ku morën pjesë 200 policë, u ekzekutuan 23 kontrolle banesash në dy prej të cilave, shqiptarët kishin ndërtuar laboratorë për përzierjen e saj. Ftohtësinë e prangave angleze e kanë provuar 12 shqiptarë dhe dy britanikë. Prokuroria ka dërguar në Gjykatën "Oxford Crown Court" tetë shqiptarë dhe dy britanikë me akuzat për konspiracionin në shitjen e narkotikëve të klasit A. Katër shqiptarë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Të arrestuarit janë Elton Celbeqiri, 28 vjeç, Oltjon Nezha, 34 vjeç, Leon Cohadari, 30 vjeç, Gentian Harizaj, 26 vjeç, Elmond Koshaj, 34 vjeç, Ulijan Nelku, 29 vjeç, Klodian Kono, 37 vjeç, Albert Kovaçi, 35 vjeç, si dhe dy britanikët Rickson Gill, 24 vjeç dhe Stephen Munro, 29 vjeç. Sipas "Thames Valley Police", që organizoi operacionin e shkatërrimit të këtij grupi kriminal, mësohet se gjatë kontrollit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokaine dhe disa mijëra paund në adresat e kontrolluara. Në seancën e parë gjyqësore të caktimit të masës së arrestit në Gjykatën e Krimeve në Oksford, të arrestuarit kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria për konspiracion në tregtimin e drogës së kategorisë A, ndërsa gjykatësi vendosi që ata të qëndrojnë në burg deri në seancën e radhës. Ky grup kriminal e kishte nisur aktivitetin e tij që në vitin 2005. Në pak muaj, falë lidhjeve të tyre me të tjera grupe shqiptare në tregtinë e drogës në Londër, ata do të fuqizoheshin së tepërmi. Policia angleze thotë se shqiptarët e sillnin drogën nga Italia dhe Holanda për ta shpërndarë në lokalet e natës, në qytetin e Oksfordit, në të cilin jetojnë me mijëra të rinj që studiojnë në universitet e tij. Disa prej të arrestuarve merreshin me transportimin e drogës nga Evropa për në Angli dhe disa të tjerë me përzierjen e saj me substanca të tjera. Pjesa tjetër e grupit shpërndahej në lokalet e natës ku shisnin lëndën narkotike, duke fituar mijëra paund. Aktiviteti i tyre, shumë shpejt do të binte në sy të oficerëve të antidrogës, në zonën e Oksfordit, të cilët do të ndërtonin një operacion të gjerë të fokusuar te shqiptarët. Në disa raste, policë të maskuar si frekuentues të klubeve të natës kanë blerë drogë te shqiptarët, duke i filmuar ata. Shtrirja e zonës së influencës do të rritej dukshëm gjatë mesit të vitit 2007 në zona të tjera jashtë Oksfordit si në qytezat Banbury, Didcot, Deddington, Reading, Cowley, Farnborough dhe Enfield, në veri të Londrës. Sipas burimeve policore mësohet se shkatërrimi strukturës kriminale të shqiptarëve në Oksford erdhi pasi ata ishin fuqizuar së tepërmi. Që prej disa muajsh ata ishin kthyer në furnizuesit kryesorë të shitësve të drogës në këtë qytet dhe qytezat e tij. Nuk dihet ende se cila është koka drejtuese e këtij grupi, i cili gjatë tre vjetëve kanë përfituar miliona paund. Pikërisht, forcimi i pozitave në tregun e drogës në këtë zonë dhe të qënurit furnizues kryesor me kokainë, si dhe provat e mbledhura nga policia, çoi në arrestimet e një nate më parë.