Certifikatat, procedim punonjëses së gjendjes civile
Një punonjëse e Gjendjes Civile në Tiranë është dërguar për ndjekje penale në prokurori, pasi dyshohet se ka lëshuar një certifikatë false për një person, i cili do të pajisej me pasaportë. Burimet policore bënë të ditur se ky rast është zbuluar rastësisht nga specialistët e seksionit të pasaportave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, teksa po kryenin verifikimet e dokumenteve të dorëzuara nga shtetas të ndryshëm për pajisje me pasaportë. Sipas uniformave blu, me të zbuluar këtë rast kanë nisur hetimet, nga ku ka rezultuar se ky dokument ishte lëshuar nga njësia bashkiake nr. 5. Në këto kushte, Policia e Tiranës tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasen Shpresa B, 56 vjeçe, banuese në Tiranë. Procedimi penal ndaj saj filloi për arsye se duke qenë punonjëse e gjendjes civile në njësinë bashkiake nr. 5 dyshohet se ka lëshuar një certifikatë të falsifikuar në emër të një shtetasi.