Aksidenti në punë, plagoset 50-vjeçari
Një 50-vjeçar po lufton me vdekjen në spital, pasi në gjendje kritike për jetën u dërgua te bluzat e bardha, i aksidentuar në punë e sipër. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, dje, në orën 03.30, ishte dërguar me urgjencë, 50-vjeçari Sinan Aldeda, lindur e banues në Mëzes të Tiranës. Viktima, punëtor në Fabrikën e Plastmasit në Mëzez, me pronar shtetasin Vullnet Haka, u dërgua në urgjencën spitalore, i shoqëruar nga disa persona të tjerë, punëtorë edhe ata të kësaj fabrike. Nga hetimet e para që ka kryer policia, e cila ka shkuar në vendngjarje pas informimit mbi incidentin, mësohet se 50-vjeçari, i cili ishte në turnin e tretë në fabrikën e plastmasit, është dëmtuar gjatë punës, duke marrë plagë serioze, ndërsa shtuan se po kryhen hetime mbi shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Mjekët thanë se gjendja e të dëmtuarit paraqitet serioze, ndërkohë që po vazhdon ndërhyrja mjekësore ndaj tij.