E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci" në vendnumëro, shtyhet sërish procesi

Ka mjaftuar mungesa e një avokati që gjykata të shtyjë brenda pak ditëve seancën e dytë në ngarkim të 28 të pandehurve të dyshuar si shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit, në muajin mars 2008. Avokati Ibrahim Lahi, që mbron interesat e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i marrë i pandehur pas ngjarjes, ka munguar pa arsye dje në sallën e gjyqit. Megjithëse gjykata e priti atë për 15 minuta, avokati i tij, Ibrahim Lahi, nuk erdhi, çka e detyroi gjykatën të kryejë zëvendësimin e tij me një avokat të caktuar kryesisht nga shteti. Ndërkohë, në sallë ndodheshin të gjithë avokatët e tjerë. Në seancë ishte sjellë nga ambientet e paraburgimit Sokol Ngjeçi, i cili vjen në proces për herë të dytë, pasi është në pritje t‘i bëjë gjykatës kërkesat paraprake. Ndërsa si gjithmonë mungonin të akuzuarit si Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Dritan Minxholli, ishin të pranishëm 7 të pandehur të tjerë, si ish-ushtarakët Dashnor Çaushi, Gëzim Oshafi dhe Zenun Ferro. Gjykata e pa të arsyeshme që të shtyjë për javën e ardhshme procesin ndaj 28 të akuzuarve për tragjedinë. Duket se zëvendësimi i avokatëve që mungojnë me ata kryesisht ka dështuar për të parandaluar shtyrjet e gjyqit. Disa javë më parë, Gjykata e Tiranës kishte caktuar pesë avokatë që të studionin dosjen dhe në rast se do të mungonte ndonjë prej mbrojtësve ligjorë dhe të pandehurve, ata do të caktoheshin në seancë. Por nisma e gjykatës ka hasur në kundërshtimin e avokatëve të tjerë, duke deklaruar se veprimet e gjykatës janë jashtë çdo procedure ligjore. Ata kanë sulmuar trupin gjykues, pasi, sipas tyre, gjykata u ka dhënë të drejtën për t‘u njohur me aktet e dosjes disa avokatëve të caktuar kryesisht. Sipas tyre, nuk lejohet që një avokat që nuk është legjitimuar nga gjykata të marrë aktet e dosjes. Reagimet kanë qenë të forta, aq sa trupi gjykues është detyruar ta shtyjë seancën e kaluar gjyqësore, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe dje në gjyq.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›