Kukës, dy shkolla në prag shembjeje
Ndonëse ka kaluar një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, në tre shkolla të rrethit të Kukësit vijojnë problemet me infrastrukturën shkollore. Kështu, në fshatin Vilë të Komunës së Bushtricës, godina e shkollës e ndërtuar në vitet ‘70 është tërësisht e amortizuar dhe mësimi në të bëhet mision gati i pamundur. Tavanet e ndërtesës kanë rënë dhe po ashtu edhe dyshemetë e pjesës dykatëshe, duke mbetur vetëm trarët. Gjendja e kësaj shkolle, siç tregojnë mësuesit, është skandaloze dhe përbën, përveç të tjerash, edhe rrezik fizik për fëmijët. Në kohën kur është ndërtuar shkolla numëronte më shumë se 250 nxënës, ndërsa vitet e fundit, me zhvendosjen e popullsisë numri i nxënësve ka rënë në 85 të tillë, të cilët zhvillojnë mësim në 5 klasa kolektive dhe një klasë parashkollorësh. Drejtues të arsimit në rreth pranojnë faktin që në atë shkollë gjendja është emergjente, por shtojnë se në vitet 2000 është dhënë një shumë e konsiderueshme të hollash nga ana e shtetit, të cilat janë shpenzuar vetëm për ndërtimin e çatisë, duke lënë jashtë projektit nevoja të tjera që shfaqte godina. Gjatë verës, mësimi atje zhvillohet në shkallët e oborrit, ndërsa në dimër situata vështirësohet. Ndërkohë, në fshatin Breglum të Komunës Tërthore, shkolla 9-vjeçare rrezikon të shembet për shkaqe të erozionit. Banorët e fshatit kanë vendosur të pezullojnë funksionimin e shkollës, duke synuar të sensibilizojnë faktorët vendorë dhe qeverinë që të ndërhyjë për sistemimin e gjendjes. Ndërkohë, prindërit shprehen se kanë raportuar edhe më parë për gjendjen e godinës, por nuk është marrë asnjë masë. Ndonëse godina është gërryer nga erozioni dhe paraqet rrezik shembje, mësimi zhvillohet normalisht. E njëjta situatë është edhe në shkollën 9- vjeçare të fshatit Nangë. Prej disa muajsh është inauguruar godina e re e shkollës me tri kate dhe klasa të bollshme, por ende kjo shkollë nuk është pajisur me banka dhe gjithçka tjetër për mësimdhënie normale. Rreth 400 nxënësit e fshatit mësojnë në shkollën e vjetër në kushte aspak normale, derisa kompetentët të vendosin të sigurojnë pajisjet e nevojshme për shkollën e re.
S.Dida
S.Dida