Ndjekje penale noteres, dyshohet për falsifikim
Një notere është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka falsifikuar prokurën e posaçme për shitjen e një prone. Dyshimet mbi noteren Mailinda Ll., 42 vjeçe, kanë ardhur pas një denoncimi që kanë bërë vëlla e motër se xhaxhai i tyre u kishte shitur tokën. Sipas policisë, rasti është hetuar nga seksioni kundër korrupsionit, nga i cili u dërgua për ndjekje penale në gjendje të lirë, noterja e lartpërmendur. Nga denoncimi mësohet se xhaxhai ka shitur gjashtë hektarë tokë, pronë e fëmijëve të vëllait të tij, me dokumente false, duke i marrë paratë për vete. Të paktën kështu pretendojnë motër e vëlla, Hektor dhe Suzana Topulli, të cilët deklaruan në polici se xhaxhai i tyre Bajram Topulli u ka shitur tokën. Hektor dhe Suzana Topulli jetojnë prej vitesh në Kanada dhe vetëm pak ditë më parë janë kthyer në Tiranë, ku kanë konstatuar shitjen e tokës së tyre me një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh. Burime nga policia thanë se Bajram Topulli me ndihmën e noteres Majlinda Lleshi dyshohet ka falsifikuar prokurën në të cilën motër e vëlla kanë nënshkruar pranimin e shitjes së tokës, gjë e cila është mohuar prej tyre sapo janë kthyer nga Kanadaja. Sipas policisë ata pretendojnë se xhaxhai i tyre ka vepruar me dokumente false në bashkëpunim me noteren për të realizuar shitjen e gjashtë hektarëve tokë në pronësi të Hektor dhe Suzana Topullit. Noterja, Mailinda Lleshi, do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës dhe "falsifikim i dokumenteve". Ndaj Bajram Topullit, policia ka ngritur akuzën e "falsifikimit të dokumenteve‘. Sipas policisë, dokumenti i falsifikuar mendohet se është prokura e posaçme me nr. 4866, datë. 20.08.2003, për shitjen e 6 hektarëve tokë, nga shtetasi Bajram Topulli.
Ble. Gi.
Ble. Gi.