E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplas të miturin, arratiset shoferi

Një 5-vjeçar përplaset nga një makinë, drejtuesi i së cilës është larguar me shpejtësi pa i dhënë të miturit ndihmën e parë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Thoma Koxhaj" kur një veturë me targa të Tiranës, me ngjyrë gri, me drejtues të paidentifikuar, ka aksidentuar 5-vjeçarin Dritan Mullai. Vogëlushi është gjetur në gjendje të rëndë në rrugë nga kalimtarë të rastit të cilët e transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që hetuesit e aksidenteve të sinjalizuar për ngjarjen nisën menjëherë hetimet për të identifikuar autorin. Burime nga policia thanë për mediat se nga verifikimet e kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore, tek blloku i pallateve "Çabej", është gjetur dhe sekuestruar si i dyshuar mjeti tip "Opel Corsa", me targë TR 8824 N, me ngjyrë gri, në pronësi të shtetasit Taulant Saliaj, i cili u shoqërua si i dyshuar. Sipas policisë materialet i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë për veprat penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "largimit nga vendi i aksidentit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›