E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia tha se i shoqëruari dyshohet edhe për raste të tjera në linjën e Unazës dhe Kombinatit

I veshur thjesht, pa ndonjë mënyrë të veçantë dhe "i maskuar" si pasagjer i zakonshëm autobusi, ai kishte një qëllim në vetvete. Mendonte vetëm të ngacmonte seksualisht femrat e reja, që përdornin autobusët e linjave urbane në Tiranë. Zakonisht mendohet se shfrytëzonte linjat Kombinat-Kinostudio dhe Unazën, por aventura e tij maniake ka zgjatur deri dje, pasi është kapur nga policia. Ka mjaftuar shqetësimi i një vajze, e cila ka kërkuar ndihmë nga policia dhe menjëherë është bërë shoqërimi i tij. Patrullat e policisë nuk kanë vonuar shumë për të shkuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një tjetër efektiv policie ndodhej në autobus. Punonjësi i policisë po punonte si çdo ditë në gjuetinë e tij për të kapur hajdutët e xhepave, kur është përballur me maniakun, që sapo kishte ngacmuar një vajzë 22-vjeçare.

Maniaku i autobusit

Policia shpjegon se personi në fjalë qëndronte pranë stacioneve të autobusëve ose bënte xhiro në Unazën e Tiranës për të prekur në pjesë delikate femrat. "Gjuetia" e tij maniake zhvillohej edhe në ambientet autobusëve në linja të tjera urbane të Tiranës. Bëhet fjalë për një mesoburrë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia. Ai blinte çdo muaj një abone të përgjithshme dhe udhëtonte nëpër autobusë pa pasur ndonjë destinacion fiks. Xhirot nëpër rrugët e Tiranës kishin si qëllim t‘u qëndronte mbrapa femrave, sidomos duke shfrytëzuar oraret në të cilat autobusët mbusheshin me njerëz dhe për të cilat do të kishte mundësi të justifikonte veprimet e tij maniake. Në të shumtën e rasteve, mendohet se ai u fuste duart mes kofshëve, ndërkohë që mbante hapur zinxhirin e pantallonave. Burime nga policia thanë se jo rrallë herë ai kishte ngrënë shuplakë nga femra të cilat kuptonin se shtyrjet dhe ngjeshjet e tij pas tyre ishin të qëllimshme. Kështu ka ndodhur edhe dje paradite, kur ulërima e një vajze dhe sharjet e saj kanë bërë që mesoburri të përfundojë në polici. E gjithë ngjarja ka ndodhur pranë stacionit të autobusit tek ish-Ekspozita. Ai ka kryer një tjetër veprim, të cilin një oficer policie, i cili gjendej në vendngjarje do ta identifikonte pa vështirësi atë si maniak seksual. Fillimisht, vajza e re nuk ka kuptuar gjë, pasi kishte shumë njerëz në autobus. Por, e shqetësuar nga fërkimet e mesoburrit, ajo ka kthyer kokën pas dhe ka vënë re se maniaku i ka buzëqeshur. Rastësisht ka vënë re pantallonat i kishte gjysmë të zbërthyera dhe ia ka dhënë me të ulëritur. Punonjësi i policisë që ndodhej në autobus, i cili qëndronte pranë pasagjerëve për të kapur "xhepistë", është afruar me shpejtësi për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Sapo është prezantuar, i dyshuari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe menjëherë janë njoftuar shërbimet e tjera të policisë, duke bërë shoqërimin e tij në Komisariatin nr. 2.

Hetimet e policisë

Policia tha se pas ngjarjes menjëherë është ngritur grupi i punës, i cili ka hetuar për mesoburrin, që ndodhet në ambientet e komisariatit. Sipas të dhënave hetimore, nuk është rasti i parë që ka ankesa nga qytetarët për ngacmime seksuale të tilla. Burimet nga Komisariati nr. 2 shpjegojnë se histori të tjera janë denoncuar në telefon nga disa femra, që kanë rënë pre e ngacmimeve seksuale. Megjithatë, nuk dihet ende nëse ky është autori i gjithë ngacmimeve seksuale apo jo. Në të shumtën e rasteve, këto ngacmime kanë ndodhur në dy linja urbane në Tiranë, që janë ajo e Kombinat-Kinostudio dhe në Unazë. Për këtë, ai është marrë në pyetje, por nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij. Ai ka shpjeguar se çdo veprim ka ndodhur pa dashje dhe rastësisht, pasi nuk kishte si qëllim të ngacmonte vajzën e re. Ndërsa për veprimet tjera, si zinxhiri i zbërthyer, ai është shprehur se ka qenë harresë, ndërkohë që ka hedhur poshtë se kishte lidhje me rastet e tjera të ndodhura më parë. Policia tha se ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe po hetohet në bashkëpunim me prokurorinë për dokumentimin e plotë të rastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›