Qendra e Antitrafikut, zhduket 15-vjeçarja
Një vajzë 15-vjeçare nga Maliqi i Korçës ka alarmuar jo vetëm policinë e kryeqytetit, por edhe atë të vendlindjes së saj. Ajo është larguar nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikuara në Linzë dhe nuk dihet se ku ka shkuar. Madje, ajo ka dalë bashkë me psikologen, ku kjo e fundit është kthyer, por ajo nuk dihet se ku është. Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë dhe përfaqësuesit e qendrës e kanë vënë re këtë fakt rreth orës 11:00 të ditës së hënës. Menjëherë ata janë alarmuar dhe kanë njoftuar shërbimet e Komisariatit nr. 4. Sipas të dhënave nga policia, në këtë komisariat është denoncuar se në Linzë, nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikuara është larguar Anxhela K., 15 vjeçe. Më tej, policia shpjegoi se ajo është nga Maliqi i Korçës. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se në këtë qendër ajo ishte strehuar rreth tre javë më parë, pasi nuk pranonte të kthehej pranë familjes. Ajo kishte shpjeguar në prani të psikologes se ishte larguar me dëshirë nga banesa dhe nuk donte të kthehej më atje. Për këtë, është vendosur që të strehohet në qendër. Por një natë para se të zhdukej, ajo ka dalë xhiro bashkë me psikologen e saj. Në mëngjes, psikologja është marrë në pyetje, por ajo nuk kishte dijeni se ku mund të ishte, pasi kishte deklaruar se do dilte për xhiro. Duke regjistruar këtë kallëzim, policia e ka shpallur në kërkim, por deri dje, nuk ka mundur të realizojë gjetjen e saj. Për këtë rast, është njoftuar edhe Policia e Korçës, por nuk ka ende ndonjë informacion të konfirmuar nëse ajo është kthyer pranë familjes, apo ndodhet në ndonjë vend tjetër. Në këtë qendër punon një staf i specializuar me punonjës socialë, psikologë, edukatorë, mjekë, juristë, të cilët punën e mbështesin në objektivat dhe strategjitë e shtetit për zbutjen dhe eliminimin e fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore. E ngritur disa vite më parë me vendim të qeverisë shqiptare, Qendra Kombëtare Pritëse e Viktimave të Trafikuara e kryen këtë mision fisnik dhe të vështirë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Në qendër ofrohet strehim i përkohshëm, ushqim, veshmbathje, asistencë psikosociale, ndihmë mjekësore, edukim arsimor, ndërsa zhvillohen aktivitete informuese dhe argëtuese.
Ble. Gi.
Ble. Gi.