Aksidenti në punë, pranga inxhinierit përgjegjës
DURRËS- Aksidentet në punë i kanë kushtuar lirinë një inxhinieri në qytetin e Durrësit. Ahmet Marku është cilësuar përgjegjës për sigurimin teknik të një objekti në ndërtim e sipër pasi si pasojë e mosmarrjes së masave të duhura që garantojnë jetën e punonjësve ka vdekur në punë një shofer betoniere. Ngjarja aksidentale ka ndodhur tre ditë me parë rreth orës 09. 30, në lagjen 13 të qytetit të Durrësit në plazh ku ka gjetur vdekjen shoferi Shpëtim Çatri. Vdekja e tij, sipas burimeve nga vendngjarja, ka ardhur si pasojë e kontaktit të mjetit betonierë me linjat elektrike që nuk ishin në përshtatje me rregulloret e sigurimit teknik të një kantieri ndërtimor. Policia, pasi ka mbledhur provat në vendngjarje dhe ka analizuar kushtet teknike ka arrestuar inxhinierin 40-vjeçar Ahmet Marku nga Shijaku. Akuza e ngritur ndaj tij është ajo e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.