E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, pranga ekspertit, kërkoi para për çështjen

Mungesa e të pandehurve shtyn gjyqin në ngarkim të 18 personave të akuzuar për abuzime në pyjet e Vlorës

VLORË- Seancat gjyqësore në ngarkim të 18 të pandehurve që akuzohen për shkatërrim të pyjeve kanë vazhduar edhe dje shtyrjen e tyre teksa një ekspert është arrestuar mbrëmjen e së hënës për korrupsion. Të 18 njerëzit që akuzohen për abuzime me prerjet e drurëve të zonave pyjore në lumin e Vlorës edhe dje kanë pasur për tu paraqitur në gjykatë por kjo nuk ka ndodhur krejtësisht. Dy prej të pandehurve nuk janë prezantuar në sallë, duke bërë që seanca të dështojë. Rait Llanaj, aktualisht kryetar i komunës qendër, nuk ka shkuar në gjyq. Po ashtu Xheal Isufi, një tjetër i pandehur nuk dihet se ku ndodhet. Për të zgjidhur këtë problem gjykata ka urdhëruar policinë të gjejë dhe të dërgojë në gjyq të pandehurit.

Seanca

Të 18 personat e përfshirë në këtë gjykim hetohen në gjendje të lirë pasi kjo është masa e dhënë nga gjykata. Fillimisht ata u arrestuan por më pas apeli vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për disa prej tyre duke iu rikthyer lirinë. Gjatë seancës së djeshme, gjyqtari Malaj ka tërhequr vëmendjen e avokatëve të mos bëhen pengesë e gjykimit, por të prezantohen në seancat gjyqësore të parashikuara. Seanca e radhës është caktuar për në datë 10 tetor, ku pritet të thuhet fjala e parë e prokurorit për këtë gjykim.

Arrestimi

Ndërkohë mbrëmjen e së hënës policia e Vlorës ka vënë në pranga personin që kreu aktin e ekspertimit në pyje. Operacioni për ndalimin është kryer nga ana e sektorit kundër korrupsionit, nën emrin e koduar “Eksperti”. Baza e këtij operacioni ka qenë një denoncim i një prej të akuzuarve, të cilët kanë pretenduar se eksperti Besnik Kuçi i ka kërkuar një shumë të madhe parash për të lehtësuar aktet e ekspertimit për ta. Pas kësaj, specialistët e këtij sektori kanë nisur veprimet, ku kanë kryer zbardhjen e telefonatave dhe një sërë veprimesh të tjera që i kanë shtyrë në arrestimin e Kuçit. Akuza që rëndon mbi të është ajo e korrupsionit pasiv në sektorin privat dhe vjedhjes me anë të mashtrimit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e ekspertit 49 vjeç janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë prej 10 mijë euro, të cilat dyshohet se i përftonte nga veprime korruptive në cilësinë e ekspertit privat të lëndëve drusore. Burimet pohuan se eksperti Besnik Kuçi ishte zgjedhur nga prokuroria e Vlorës për të kryer aktin e ekspertimit në çështjen e abuzimet me pyjet e lumit të Vlorës, e cila ishte e hapur prej një viti nga prokuroria. Dëmi i shkaktuar nga prerjet e drurëve në këto zona kalon shifrën e 40 milionë eurove, ndërsa në bankën e të akuzuarit për këtë çështje janë 18 persona, drejtues në vite të ndërmarrjes pyjore, punonjës e inspektorë si dhe disa administratorë të ndërmarrjeve private që operonin të licencuar në zonën pyjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›