E Diel, 1 Nëntor 2026

Butrinti antik, peng i rrugës së pa rregulluar

SARANDË- Rruga që lidh qytetin e Sarandës me Qytetin Antik të Butrinti, 20 kilometër e gjatë, pothuajse me një kalim ka mbetur në gjendjen e hapjes së saj të para 50 vjetëve. Edhe pse është rikonstruktuar para pesë vitesh, duke u riveshur ne asfalt nuk u zgjerua asnjë centimetër. Sot ajo është bërë pothuajse e pakalueshme nga numri i makinave që lëvizin në dy drejtimet. Sipas shoferëve që iu bie rruga në këtë segment, kjo rrugë është bërë e rrezikshme dhe e pakalueshme. Shoferi taksist Durim Tepelena , thotë se “jam dëshmitar, që turistë të ardhur për të vizituar Butrintin zbresin nga autobusi, kur afrohen tek vendi i quajtur Qafa e Hartës”. Rreziku për humbjen e jetës është i pranishëm në çdo metër. Këtë e provojnë rreth 30 përmendoret që familjet kanë ngritur ne kujtim te atyre që kanë humbur jetën në këtë segment rrugor. Megjithëse zgjerimi i kësaj rruge ka qenë premtimi kryesor i fushatave elektorale, ai sërish është në gjendje të rrezikshme. Gjatë fushatave elektorale u tha se punimet do të nisnin para dy vjetëve por nuk u mor asnjë masë. Nga ana tjetër, edhe pse kërkesat e banorëve ndaj pushtetit lokal janë përsëritur me dhjetëra herë, rruga nuk ka gjetur ende vend në buxhetin e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›