E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau 4 njerëz me makinë, pranga pas 2 vitesh

DURRËS- Policia e Durrësit ka mundur që të arrestojë paraditen e djeshme autorin e një masakre në rrugë dy vite më parë. Hajredin Allaraj, lindur në Kukës e banues në fshatin Hamallaj të rrethit të Durrësit është cilësuar përgjegjës për aksidentin që solli vdekjen e katër njerëzve. Ngjarja ka ndodhur dy vite më parë pranë mbikalimit të Vorës dhe gjykata ka dënuar Allarajn me shtatë vite burgim në mungesë. Që nga ajo kohë ai kishte arritur që t’i fshihej uniformave blu. “Arrestimi është bërë për llogari të policisë së Tiranës në ekzekutim të vendimit penal të datës 22. 12. 2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që e ka dënuar Allarajn me shtatë vjet burg për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe largim nga vendi i aksidentit. Ngjarja ka ndodhur më 27 dhjetor 2004 pikërisht në aksin rrugor Tiranë – Durrës në afërsi të Vorës. Allaraj në kohën kur drejtonte automjetin e tij me targa “DR. 0461 D” ka përplasur me pasojë vdekjen katër shtetas që po ktheheshin nga një gëzim familjar dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”,- thanë dje burimet e policisë së Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›