E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama-Alibeaj: Tetë nenet që duhen hequr nga projektligji

Prokuroria e Përgjithshme dorëzon kundërshtimet për draftin, duke i quajtur disa nene të papranueshme

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi pranë Ministrisë së Drejtësisë kundërshtimet mbi projektligjin e ministrit Enkelejd Alibeaj, i kritikuar për cënimin e pavarësisë së prokurorisë. Gjatë ditës së djeshme, kryeprokurorja Ina Rama i ka kërkuar zyrtarisht ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të heqë nga projektligji tetë pikat e kontestuara jo vetëm nga Prokuroria, por edhe nga misionet EURALIUS dhe OPDAT. Në observacionin e Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja Rama ka renditur tetë pikat e kundërshtuara të këtij projektligji, duke dhënë gjithashtu edhe argumentet se pse këto nene nuk duhen miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.Sipas pretendimeve të prokurorisë, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm neni 17 i ligjit, që iu heq prokurorëve njëfarë mbrojtjeje ndaj arrestimit të policisë.

Mësohet se prokurorët kanë kërkuar nga ministri i Drejtësisë që të përpilojë një nen për garancitë që iu ofrohen prokurorëve, gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Gjithashtu, si pikë e kundërshtueshme për prokurorët është edhe pika e raportimit të Ministrisë së Drejtësisë në Kuvend për punën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe kriminalitetin në vend. “Raportimi i Ministrit pranë Kuvendit çdo gjashtë muaj përbën një dualitet të raportimittë Kuvendit, pikë kjo e parashikuar në nenin 56 të ligjit ekzistues dhe në nenin 25 të këtij projektligji “për disa ndryshime në “organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”,-është një tjetër pikë në observacionet e Prokurorisë.

Një tjetër pikë e kundërshtuar nga prokuroria është neni 52 i ligjit ekzistues që ndryshon në bazë të nenit 23 të këtij drafti ligjor, që sipas ndryshimeve të pagës, prokurorëve që marrin vështirësi në punë u ulet paga e tanishme me një vlerë prej 20 %.Mësohet po ashtu se një nga pikat e kundërshtuara nga grupi i punës pranë Prokurorisë së Përgjithshme është ai i masave disiplinore për prokurorët, që të ketë masë tjetër (alternativë) disiplinore përveç asaj të pezullimit apo pushimit nga puna. Prokurorët kundërshtojnë edhe nenin 27 të këtij projektligji, ku parashikohen kompetencat e drejtuesve të prokurorive, për mënyrën e shpërndarjes së kallëzimeve, që sipas projektligjit kjo do të bëhet në bazë të rendit alfabetik me bazë mbiemrin. “Kjo mënyrë e shpërndarjes është shumë e vështirë, pasi kjo shpërndarje duhet të vazhdojë në mënyrën e ngarkesave të punës së prokurorëve”,-thuhet në shkresën që i është dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeajt. Këto observacione tashmë ndodhen në tavolinën e punës së ministrit të Drejtësisë dhe pritet që këto mendime të merren parasysh, pasi ky projektligj është kundërshtuar në shumë pika nga diplomatë të Ambasadës Amerikane, të cilët e kanë cilësuar draftin e ri si një tentativë për t’i hequr pavarësinë organit të akuzës Më pas, drafti është kundërshtuar si nga Shoqata e Prokurorëve që ka dorëzuar mendimet e tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë, ashtu edhe nga përfaqësuesit e misioneve EURALIUS dhe OPDAT, të cilët asistojnë prej kohësh sistemin tonë të drejtësisë.

KUNDËRSHTITË E PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Të ndryshojë neni ku parashikohet pezullimi nga detyra i prokurorit dhe arrestimi i tij

Të rregullohen me ligj garancitë në punën e tij prokurorit (imunitetin që nuk e ka)

Nuk pranohet raportimi i ministrit të Drejtësisë pranë Kuvendit për punën e Prokurorisë

Të mos ndryshojë rritja e numrit të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë pranë Këshillit të Prokurorisë

Të mos ndryshohet neni për pagat dhe shpërblimet ku i ulen 20 % të pagës prokurorëve

Të mos ndryshojë mënyra e shpërndarjes së kallëzime, që sipas ministrisë duhet të bëhet në bazë të rendit alfabetik

Të ketë alternativë tjetër për dhënien e masës disiplinore, jo vetëm ajo e shkarkimit nga detyra

REAGIMI

Hajdari: Më shumë garanci për prokurorët

TIRANË- Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë ka shkuar përtej versionit zyrtar të kundërshtimit të draftit “Alibeaj”, duke kërkuar më shumë mbrojtje dhe fonde për organin e akuzës. Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj shoqate, Shkëlqim Hajdari, kjo shoqatë edhe pse është një nga grupet e interesit në këtë mes, nuk është ftuar nga Ministria e Drejtësisë në tavolinën e punës për të dhënë mendimin për draftin ligjor. “Edhe pse nuk jemi ftuar të marrim pjesë në këtë tryezë pune të diskutimit të këtij projektligji, ne me iniciativën tonë në mbrojtje të të drejtave të prokurorëve kemi dhënë observacionet tona në lidhje me këtë projektligj. Ne si shoqatë, përveç kundërshtimeve që grupi i punës së Prokurorisë së Përgjithshme ka renditur dhe i ka dërguar për shqyrtim Ministrisë së Drejtësisë, kemi renditur edhe disa pika që mendojmë se patjetër duhet të bëhen pjesë e këtij projektligji”,-tha prokurori Shkëlqim Hajdari. Sipas tij, Shoqata e Kombëtare e Prokurorëve kërkon më shumë propozime dhe ndryshime se sa janë përfshirë në observacionet e Prokurorisë së Përgjithshme, për të rregulluar dhe përmirësuar statusin e prokurorit.F.Vezaj

PROPOZIMET E SHOQATËS SË PROKURORËVE

Shkarkimi i një prokurorit nga detyra të gjykohet në Gjykatën e Lartë dhe jo në atë të Apelit. Kjo gjykatë të shprehet për rikthimin në punë ose jo të tij

Të qartësohen garancitë e prokurorit në kryerjen e detyrës së tij të përditshme dhe pavarësisë së punës së tyre

Të krijohet një forcë sigurie pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila do të merret me sigurinë dhe mbrojtjen e prokurorëve në rastet e veçanta

Prokuroria e Përgjithshme të ketë një buxhet të pavarur dhe të rritet fondi buxhetor nga ky ekzistues

Të vendoset në ligj, që Prokuroria të përfitojë për nevojat e saj 20 % të vlerës së pasurive të sekuestruara, që dalin në ankand.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›