Shkodra rrezikon të djegë fondin e investimeve
SHKODËR- Tre muaj përpara se të përfundojë viti 2008, nga fondet që i janë akorduar për investime të ndryshme njësive të qeverisjes vendore të qarkut të Shkodrës janë realizuar më pak se një e pesta e tyre. Kjo është bërë e ditur gjatë një analize për nivelin e realizimit të investimeve të zhvilluar në prefekturë. Sipas kryetares së degës së thesarit në Shkodër, Emilia Koliqi, janë një miliard e 70 milionë lekë që i janë dhënë njësive të qeverisjes vendore nga shteti shqiptar dhe grandet konkurruese. Por deri tani, rezulton se nga fondi total, janë realizuar vetëm 332 milionë lekë, ndërsa janë 738 milionë lekë të tjera që akoma nuk janë tërhequr pasi nuk janë realizuar investimet e parashikuara të bëra me to. Për mosrealizimin e investimeve me 738 milionë lekë nga 1 miliardë e 70 milionë që janë në total, prefekti Cungu ka sqaruar se askush nuk duhet të shqetësohet, pasi një pjesë e infrastrukturës dhe institucioneve ku janë duke u bërë investime, janë në proces e sipër, dhe gjithçka përfundon dhe quhet e realizuar pas përfundimit të kontratave në objektet që është duke u punuar.