E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti në punë, vdes 48-vjeçari nga Kërraba

Tiranë – Aksidentohet në punë dhe gjen vdekjen 48-vjeçari. Burimet policore thanë për gazetën se dje, rreth orës 14:00, në rrugën “5 Maji”, në ambientet e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit të Mishit është aksidentuar dhe ka gjetur vdekjen Reshit Salici, banues në Kërrabë. Nga veprimet hetimore dhe procedurale rezultoi se ky shtetas ka qenë duke kryer disa punime në një ashensor të vjetër, ku dhe është goditur dhe më pas bllokuar nga një bazament hekuri. Materialet për këtë ngjarje i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Denoncon vjedhjen, policia arreston 17-vjeçarin

Tiranë – I vodhi celularin nën kërcënimin e thikës, ndalohet nga uniformat blu. Burime të sigurta thënë për gazetën se dje ishte bërë një kallëzim në Seksionin Kundër Vjedhjeve me Dhunë, Armë dhe Shkatërrim të Pronës nga shtetasi M. A. 16 vjeç. Në kallëzim thuhej se më datë 17 mars, rreth orës 11:30, në afërsi të shkollës “Ismail Qemali” një person i paidentifikuar i ka vjedhur nën kërcënimin e një thike, telefonin celular “Nokia” 6300.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale rezulton se autor është shtetasi G. H., 17 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për “vjedhje” dhe “shtrëngim me dhunë për dhënie të pasurisë”. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”, si dhe është organizuar puna për kapjen e tij.

Ndalohet i mituri, dyshohet për disa vjedhje banesash

Tiranë – Tentoi të vjedhë banesën e një shtetasi, ndalohet nga policia. Burimet thanë se dy ditë më parë, pas kallëzimeve të deponuara nga të dëmtuarit në Seksionin e Posaçëm të Vjedhjeve të Tjera u bë kapja në flagrancë e shtetasit O. L., 14 vjeç, banues në Tiranë, duke tentuar për të vjedhur banesën e një shtetasi. Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi i mësipërm është autor i vjedhjes së banesës së dy shtetasve më datë 26.02.2008, ku janë vjedhur një biçikletë dhe dy telefona celularë, të cilët u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale në banesën e autorit. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.

DOBJANI PRET NË NJË TAKIM HOMOLOGUN E TIJ IZRAELIT

TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani priti dje në mesditë në një takim homologun e tij izraelit, Micha Lindenstrauss, ku e informoi lidhur me organizimin e këtij institucioni në Shqipëri, që nga krijimi i tij. “Një nevojë imediate, në vitin 2000, ishte ndërtimi i një sistemi të pavarur shërbimi për qytetarët, ndërsa tashmë sfida e këtij Institucioni është efektiviteti dhe ndikimi i tij për mirëqeverisje, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve për qytetarët”, tha Dobjani. Micha Lindenstrauss, Kontrollor i Shtetit dhe Ombusman i Shtetit të Izraelit ndodhet në Tiranë, për një vizitë zyrtare me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku dhe të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Nesër ai pritet të takohet edhe me Presidentin e vendit, Bamir Topi, nënkryetarin e Kuvendit Fatos Beja, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, si dhe me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit Robert Çeku.

ZENELI JA REZULTATET E OPERACIONIT NGA 15- 20 MARS

TIRANË - Komandanti i Operacionit në Gërdec, kolonel Xhevdet Zeneli, bëri publike dje rezultatet e operacioneve të ndërmarra në zonat, të cilat u prekën nga shpërthimi i datës 15 mars, në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë. Sipas Zenelit, për periudhën 15-20 mars 2008, gjatë operacioneve për pastrimin e zonës, nga predhat dhe municionet luftarake, është kontrolluar një sipërfaqe prej 300 ha, janë pastruar 70 ha, si dhe 400 metra linearë rrugë. Gjatë kontrolleve në zonë, janë grumbulluar 1.098 copë municione, 259 predha të paplasura. Në fshatrat Marqinet dhe Gërdec, janë pastruar 303 banesa. Në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, tha kolonel Zeneli, janë transportuar materialet e 49 familjarëve. Gjithashtu janë transportuar mbeturina skrapi me 17 mjete, ndërsa janë groposur 22 gjedhë, 4 bagëti të imta, 203 shpendë, etj. Ndërkohë, janë akomoduar në shtëpinë e pushimit të forcave të armatosura në Durrës 235 banorë. Vlerësimi i vatrës së shpërthimit, sipas kolonel Zenelit llogaritet në 3.5 km.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›