E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi i prindërve: “Korrupsioni në Arsim është ulur këmbëkryq”

E nderuar redaksi i gazetës “Albania”. Jemi një grup prindërish nga qyteti i Durrësit, që kemi fëmijët në periudhën e përfundimit të shkollës së mesme. Jemi shumë të shqetësuar se si do të vejë fati i fëmijëve tanë, pasi konstatojmë se në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Durrësit korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe ndjehemi të paaftë për ta luftuar këtë korrupsion. Ndonëse ia kemi bërë me dije disa herë edhe niveleve ministrore, përsëri është e pamundur që ata t’i marrin seriozisht kërkesat tona, ndaj ne nuk na ngelet gjë tjetër veçse t’ju drejtohemi ju si shtyp i pavarur që jeni. Shqetësimet tona janë këto:
Nga inspektorët e Drejtorisë Arsimore është organizuar një sistem i tërë kur secili prej tyre organizon në mënyrë të hapur kurse private. Ata që drejtojnë këtë biznes të paligjshëm janë: Mira Bllani, inspektore e shkollave private, e cila ndjek mbarëvajtjen e shkollave private, duke e kthyer Drejtorinë Arsimore në një pronë personale dhe duke kaluar edhe konceptin e titullarit. Sjellja e saj arrogante dhe joqytetare ka krijuar mjaft probleme në qytetin e Durrësit. Mund të themi që është nga inspektoret e pakta që në pronësi gëzon 3 shtëpi private dhe një sërë privilegjesh, të cilat sigurisht që flasin qartë për abuzim, pasi rroga e mësuesit, qoftë edhe e inspektorit, nuk kalon më shumë se 450 000 lekë 9të vjetër). Para këtij fakti të gjithë jemi pa gojë. Alma Rakipi, inspektore e kualifikimit “de fakto”, ndërsa de juro është drejtuesja e Drejtorisë Arsimore. Në bashkëpunim me zonjën Bllani, zotërojnë të gjithë kompetencat në këtë qytet, duke e kthyer Drejtorinë Rajonale të Arsimit në Durrës në qendrën e korrupsionit dhe të përfitimit. Nuk mjafton kjo, por të sigurta, të dyja këto kanë veshur edhe petkun e politikanëve, duke aderuar te Partia Demokratike e Re, aktualisht e zotit Pollo dhe duke shkelur kështu edhe ligjin për arsimin shqiptar. Do të mjaftoheshim me këto emra, ndonëse nga një investigim ju mund të zbuloni shumë gjëra që na bëjnë të indinjohemi, pasi sot në shkollat e Durrësit ka mësues pa diplomë, që këto zonja ia kanë dhuruar vendin e punës, në këmbim të shumave marramendëse. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se korrupsioni është aq i dukshëm, saqë për të marrë një vend pune më parë duhet të kalosh nga zyra e shefit të kuadrit, ku bëmat e tij janë të pafund. Këtu nuk flitet vetëm për ryshfete, por edhe për imoralitet. Thënë ndryshe, në këtë drejtori është krijuar një grupim njerëzish që vetëm arsimtarë dhe edukatorë nuk mund t’i quash. Ne jemi tejet të irrituar dhe të shqetësuar, ndaj kërkojmë nga ju, duke na mirëkuptuar, që të bëheni zëri ynë për të zgjidhur të drejtat tona. Ne kemi nevojë që këtë thirrje tonën ta dëgjojë edhe ministri i Arsimit, i cili nuk mund të arrijë rezultate me këta njerëz të korruptuar që rekomandohen.

Përfaqësues të shoqatës “Durrësi”
Shën. red.: Gazeta është e hapur ndaj reagimeve në lidhje me këtë shkrim

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›