Kompensimi për Rrugën e Arbrit, kundërshtojnë banorët
DIBËR – Banorët me prona në zonën ku do të shtrihet Rruga e Arbrit kanë kundërshtuar çmimin e dhënë nga qeveria për kompensim. Protesta është bërë në një takim të zhvilluar dje në Bulqizë nga prefekti i qarkut, Xhaferr Seitaj, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, drejtuesit e tre firmave që po kryejnë punimet, kryebashkiaku i Bulqizës dhe krerët e komunave ku shtrihet rruga. Përfaqësuesi i qeverisë ka kërkuar nga komuniteti që të mos bllokojnë punën për realizimin e projektit. Banorët kanë kundërshtuar vlerësimin e çmimit të tokave nga Ministria e Bujqësisë. “Shuma prej 840 lekë m2 është qesharake”, - tha kryetari i komunës së Zerqanit. Drejtuesit vendorë kanë kërkuar që në disa zona të bëhen nënkalime për lëvizjen e banorëve nga njëra anë e rrugës në anën tjetër, por ky propozim është hedhur poshtë nga drejtuesit e Rrugës së Arbrit. Prefekti ka premtuar se do të negociojë me Ministrinë e Transportit për rishikimin e çmimeve të tokës në këtë zonë.
21 Mars 2008