E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i të miturve dhe prostitucioni, në pranga Lika dhe Nanxën

TIRANË – Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi dyshohen për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik të miturish. Ylli Lika dhe Bardhyl Nanxa janë ndaluar nga uniformat blu pasi për ta kishte një urdhër arresti nga prokuroria. Arrestimi i të sipërpërmendurve ka ardhur pas denoncimeve që ishin bërë për vendndodhjen e tyre. Lika fshihej në vendin që ai e mendonte të sigurt, por dje policia i ka vënë prangat duke e dërguar në dhomat e arrestit. Ndërsa Nanxa u kap pak pasi dy të mitur e denoncuan atë në polici pasi ai në mënyrë sistematike i detyronte ata të lypnin rrugëve të Tiranës. Dje denoncuesit u morën në mbrojtje nga policia dhe u dërguan në qendrën e trajtimit të të miturve, ndërsa tutori i tyre përfundoi në qelinë e ftohtë të paraburgimit.
Ngjarjet
Ishte nën arrest për shfrytëzim prostitucioni, por vetëm dje policia e ka arrestuar. Forcat e Policisë ndaluan Ylli Likën, 36 vjeç, banues në Tiranë, me akuzën e “shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni”. Sipas burimeve policore, arrestimi i Likës u bë pasi Gjykata e Tiranës, më datë 13 mars 2008, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë për veprën e mësipërme penale. Po kështu, pas marrjes dhe grumbullimit të informacioneve për trafikim të të miturve, specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme mundësuan kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Bardhyl Nanxës. 26-vjeçari u kap dy ditë më parë rreth orës 11:00, tek ura “Vasil Shanto”, pasi ka kanosur për qëllim shfrytëzimi, dhe detyruar për të lypur në rrugë dy të miturit, R. M. dhe B. A., përkatësisht 12 dhe 14 vjeç, banues në Tiranë. Po kështu, në ngarkim të këtij shtetasi, më datë 15.02.2007, Prokuroria e Gjirokastrës ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale të “vjedhjes”. Materialet në ngarkim të këtyre personave i kaluan prokurorisë.
Precedentë
Dy muaj më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burg dy vëllezër, të cilët akuzohen për “trafik të femrave për qëllime prostitucioni”. Trupi gjykues shpalli fajtor dhe dënoi me nga 15 vjet burg secilin nga dy vëllezërit Buçpapaj. Gjithashtu, kjo gjykatë i dënoi dy të pandehurit edhe me gjobën 1 milion lekë. Një seancë më parë, përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishte kërkuar dënimin e tyre me nga 16 vjet burg dhe gjobë prej 1 milion lekësh. Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Buçpapaj akuzoheshin se kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni disa vite më parë në Itali një vajzë 20-vjeçare nga Tirana.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›