Oferta ruse për takim në vitin 1963 dhe refuzimi shqiptar
Vazhdojnë shkëmbimet e letrave mes Moskës dhe Tiranës në lidhje me konfliktin. Gazeta “Zëri..” publikon mesazhin e Kremlinit. Kërkohet takim me palën shqiptare
Më 30 mars të këtij viti, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i dërgoi një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e cila u botua në gazetën “Zëri i popullit” të datës 17 prill 1963. Në këtë letër, përveç të tjerave trajtohen çështje që kanë të bëjnë me organizimin e bisedimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të PK të BS dhe të PK të Kinës lidhur me marrëdhëniet e tyre reciproke dhe me përgatitjet për një mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Partia e Punës e Shqipërisë është shprehur gjithnjë për rrugën e takimeve, bisedimeve e konsultimeve shoqërore e të barabarta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lindin midis partive komuniste e punëtore të vendeve të ndryshme dhe në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare në tërësi. Partia jonë mendon se shkëmbimi reciprok i pikëpamjeve dhe organizimi i takimeve e bisedimeve dypalëshe është çështje e brendshme e partive përkatëse. Por me qenë se në këtë letër Nikita Hrushovi, duke nxitur më tej polemikën publike me Partinë e Punës të Shqipërisë (gjë që vërteton edhe një herë se thëniet e tij në Kongresin e 6-të të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane se duhet ndaluar polemika, etj. janë bllof e hipokrizi) sulmon dhe shpif në mënyrë tendencioze kundër saj, duke u përpjekur njëkohësisht në mënyrë demagogjike të paraqesë veten e qëndrimet e tij si korrekte me mësimet e marksizëm-leninizmit e të Deklaratave të Moskës, ne po i përgjigjemi. Në letrën e KQ të PK të BS dërguar KQ të PK të Kinës, midis të tjerash, thuhet sa vijon: “Në letrën tuaj ju prekni çështjen shqiptare dhe atë jugosllave. Siç ju kemi shkruar, ne mendojmë se këto çështje, megjithëse janë parimore, nuk munden dhe nuk duhet të eklipsojnë në vetvete problemet kryesore të kohës që kërkojnë diskutim në takimin tonë. Partia jonë, duke dënuar veprimet përçarëse të udhëheqësve shqiptarë, njëkohësisht ka ndërmarrë pandërprerje hapat e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve të PPSH-së me PK të BS dhe partitë e tjera motra. Megjithëse udhëheqësit e PPSH-së kohët e fundit kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmarrin sulme shpifarake kundër partisë sonë dhe popullit sovjetik, ne, duke u udhëhequr nga interesat më të larta, nuk heqim dorë nga mendimi se marrëdhëniet midis PK të BS dhe PPSH mund të përmirësohen. Në fund të shkurtit të këtij viti, KQ i PK të BS tregoi edhe një herë iniciativën dhe i bëri KQ të PPSH propozimin për zhvillimin e një takimi të dyanshëm të përfaqësuesve të dy partive tona. Por edhe ky hap i ynë shoqëror nuk gjeti jehonën e duhur nga ana e udhëheqjes shqiptare. Udhëheqësit e PPSH-së nuk e konsideruan të nevojshme madje as ta merrnin letrën tonë, ku përmbahej propozimi i KQ të PK të BS për takimin e dyanshëm të përfaqësuesve të dy partive tona. Udhëheqësit e PPSH-së nuk e konsideruan të nevojshme madje as ta merrnin letrën tonë, ku përmbahej propozimi i KQ të PK të BS për takimin e dyanshëm. Më vonë, siç duket, pasi u menduan më mirë, udhëheqësit shqiptarë dërguan një letër në të cilën ata, duke paraqitur një sërë rezervash dhe kushtesh, flasin për një takim të tillë. Në qoftë se është treguar me të vërtetë dëshira, ne jemi gati ta bëjmë një takim të tillë”. Siç shihet, grupi i Nikita Hrushovit edhe në këtë paragraf ka kombinuar urrejtjen, shpifjen, sulmin kundër PPSH-së me mashtrimin dhe demagogjinë. Ai përpiqet me çdo mënyrë të bëjë përgjegjës të tjerët për fajet e veta, orvatet t’ia hedhë përgjegjësinë Partisë së Punës së Shqipërisë për gjendjen e padëshirueshme në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare. Me këtë, ai përpiqet edhe një herë të mashtrojë tërë lëvizjen komuniste dhe opinionin publik ndërkombëtar.
Çështja shqiptare
Në letrën e lartpërmendur, që KQ i PK të BS-së i drejton KQ të PKK-së flitet për një të ashtuquajtur “çështje shqiptare”, që nuk mund dhe nuk duhet të eklipsojë në vetvete problemet kryesore të kohës. Por, ç’është kjo e ashtuquajtur çështje shqiptare? Ajo është vetëm një trillim i Nikita Hrushovit që i duhet atij për të fshehur qëndrimet e veprimet e veta armiqësore ndaj PPSH-së e RPSH-së dhe për të justifikuar sulmet e shpifjet e tij të mëtejshme kundër tyre. Ajo është një orvatje për ta paraqitur këtë çështje si një problem të dorës së dytë, të veçantë, të shkëputur nga problemet kryesore të kohës, nga divergjencat e thella parimore, që kanë lindur në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe që, sipas tij, qenka krijuar gjoja për shkak të pikëpamjeve e qëndrimeve të gabuara dhe të padrejta të udhëheqësve shqiptarë. Në gjykimin e këtij problemi, ne nuk nisemi nga pozita të ngushta, nuk nisemi vetëm nga fakti që jemi drejtpërdrejt të interesuar, por mendojmë se ky është një problem thellësisht parimor. E ashtuquajtura çështje shqiptare nuk është aspak një incident i rastit dhe i izoluar. Ajo nuk kufizohet madje as në kuadrin e ngushtë të marrëdhënieve thjesht sovjeto-shqiptare, por është një nga shfaqjet më të theksuara dhe tipike të luftës së madhe që zhvillohet sot midis marksizëm-leninizmit nga njëra anë dhe revizionizmit modern të përfaqësuar nga klika titiste dhe grupi i Nikita Hrushovit nga ana tjetër. Ajo është pjesë përbërëse e kësaj lufte, sepse Partia e Punës e Shqipërisë qëndron me vendosmëri në pozitat revolucionare të marksizëm-leninizmit dhe bën një luftë të papajtueshme kundër revizionizmit modern. Me këtë çështje të madhe parimore është gërshetuar e lidhur ngushtë edhe çështja e marrëdhënieve midis dy partive e dy vendeve tona. Si lindi e ashtuquajtura çështje shqiptare? Para se grupi i Nikita Hrushovit të dilte hapur me vijën e tij thellësisht antimarksiste, oportuniste, revizioniste, kur ai e zhvillonte veprimtarinë e tij në forma pak a shumë të kamufluara dhe me zigzage të imponuara nga rrethanat e kohës, Partia e Punës e Shqipërisë, duke qëndruar në pozita të drejta marksiste-leniniste, ka qenë në një papajtueshmëri të heshtur me të për një sërë çështjesh të rëndësishme, siç janë ato ndaj revizionistëve jugosllavë, etj., megjithëse për shumë çështje PPSH-ja kundërshtonte veprimet e Nikita Hrushovit në mënyrë të heshtur. Përsa u përket revizionistëve jugosllavë, ajo bënte një luftë të hapur, të vendosur dhe mbante një qëndrim të prerë ndaj tyre, si renegatë të marksizmit dhe armiq të socializmit, duke rënë kështu në kundërshtim të hapur me përpjekjet e Nikita Hrushovit për rehabilitimin e klikës titiste, afrimin dhe pajtimin e tij me të. Qysh atëherë, Nikita Hrushovi shihte qartë se në Partinë e Punës së Shqipërisë kishte një pengesë serioze në rrugën e realizimit të kursit të tij antimarksist. Kjo përcaktonte dhe qëndrimin e maskuar armiqësor të tij kundër PPSH-së për vijën e saj të drejtë në përgjithësi dhe sidomos për qëndrimin e saj të vendosur e të prerë ndaj klikës titiste, aleates së ardhshme të Nikita Hrushovit. Ai iu vu hapur punës për të përçarë unitetin e kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare në mënyrë brutale e me metoda antimarksiste dhe u përpoq t’u imponojë atyre vijën e tij revizioniste. Kjo ndodhi në mbledhjen e Bukureshtit të vitit 1960 dhe në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë në nëntor të po atij viti, ku PPSH-ja, së bashku me parti të tjera motra, kundërshtoi me vendosmëri orvatjet përçarëse të Nikita Hrushovit, kritikoi pikëpamjet, qëndrimet e veprimet e dëmshme dhe antimarksiste të tij, mbrojti me guxim vijën marksiste-leniniste të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe çështjen e unitetit të saj. Që këtu, Nikita Hrushovi divergjencat ideologjike midis Partisë së Punës së Shqipërisë dhe grupit të tij i nxori hapur, që këtu si kundërveprim filloi lufta e saj me sulmet publike nga tribuna e Kongresit të 22-të të PK të BS-së dhe pas tij në organet e shtypit dhe kongreset e disa partive të tjera. Kështu pra, e ashtuquajtura çështje shqiptare lindi si një aspekt i luftës midis partive që qëndrojnë në pozita revolucionare dhe revizionistëve modernë - grupit të Nikita Hrushovit e pasuesve të tij. Në të vërtetë, pra, kjo është një çështje që ka të bëjë me vijën e përgjithshme të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, me të cilën gjithnjë në mënyrë të maskuar ose të hapur ka qenë në kundërshtim Nikita Hrushovi, kjo ka të bëjë me çështjen se në ç’rrugë duhet të zhvillohet kjo lëvizje, në rrugën e marksizëm-leninimit apo të revizionizmit.
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 18 prill 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
21 Mars 2008