E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, nxirren nga uji 3 nga 4 të zhdukurit

02/03/2010 Aksidenti i Mollë-Grabovës, familjarët identifikojnë viktimat

GRAMSH- Tre nga 4 të aksidentuarit e Mollë-Grabovës në rrethin e Gramshit janë nxjerrë nga uji, ndërsa kërkimet rikthehen të martën për të zhdukurin e fundit nga tragjedia e regjistruar të shtunën në mbrëmje. Gjatë gjithë ditës forcat RENEA të ndihmuar nga zjarrfikësit, ushtria dhe banorë të zonës kanë arritur të lokalizojnë fillimisht dy kufoma në fshatin Mashan 10 km larg vendit të ngjarjes dhe Bërsnik. Forcat e përfshira e kanë pasur të vështirë nxjerrjen e tyre për shkak të terrenit të vështirë. Pas përpjekjeve është arritur nxjerrja e dy trupave, të cilat për shkak se ishin mjaft të dëmtuar ka qenë e vështirë të identifikoheshin. Në vendin e ngjarjes kanë qenë familjarët e 4 viktimave, të cilët kanë bërë identifikimin nëpërmjet veshjeve dhe shenjave të tjera. Kufomat i përkisnin Ilirian Balla 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç. Më pas rreth orës 14.30 është bërë e mundur gjetja e trupit të 18-vjeçarit Behar Senkollari. Ende mbetet i zhdukur Elis Sogani, 32 vjeç. Familjarët e 5 viktimave kanë ndjekur operacionin. Kanë qenë kryesisht meshkujt e familjeve që me tension kanë parë çdo lëvizje të forcave të kërkimit. Situata ka qenë mjaft e vështirë dhe sidomos momenti i nxjerrjes së kufomave dhe më pas identifikimi i tyre. Kanë qenë pikërisht familjarët që kanë bërë edhe identifikimin. Për shkak të dëmtimeve të mëdha për të mësuar emrat e kufomave ka qenë tepër e vështirë. Nënprefekti i Gramshit, Shkëlqim Hoxha, tha se terreni i vështirë ka bërë që të përfshihen të gjitha llojet e mjeteve për nxjerrjen e trupave. Ai konfirmoi se do të vazhdojnë kërkimet për të gjetur viktimën e katërt të aksidentit. Mendohet se për shkak të rrjedhës së vrullshme të lumit Devoll kufoma e fundit të kërkohet në afërsi të Kodovjatit. Operacionet e kërkimit janë ndërprerë rreth orës 18.00 për shkak të errësirës dhe do të rifillojnë mëngjesin e së martës. Mësohet se rrezja e kërkimit është shtrirë për t’iu afruar Kodovjatit dhe më pas Gramshit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›