E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, përplasen 6 makina, plagosen dy shoferë

Dy shoferë janë plagosur rëndë nga përplasja e gjashtë makinave në superstradën Lezhë-Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në rrethin e Kurbinit. Sipas policisë së Lezhës, aksidenti u shënua rreth orës 19:30, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Patokut", në rrethin e Kurbinit. Fillimisht janë karamboluar dy makina dhe më pas dhe katër të tjera, duke shkaktuar kaos në autostradë. Si pasojë e përplasjes së fortë, mbeti i plagosur 36-vjeçari Gazmir Porja dhe 16-vjeçari, Gentian Bardhi. Dy të plagosurit janë dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhen në gjendje kritike për jetën. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka nisur nga puna për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti. Burimet nga policia e Lezhës shprehen se aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe të mjeteve dhe moszbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë, aksidenti në të cilin u përfshinë 6 makina shkaktoi probleme të shumta në trafik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›