Aksidenti, përplasen për vdekje dy të rinj dasmorë
LEZHE - Aksident i rëndë, me pasojë dy të vdekur, u shënua dje në orët e mbrëmjes në superstradën Lezhë- Shkodër. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Gjadrit", kur një automjet tip BMW me targa të huaja, gjatë tentativës për të parakaluar, është përplasur me një kamion me targa të Shkodrës. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend dy personat që ndodheshin në autoveturën tip BMW. Policia bëri të ditur se viktimat janë Edmond Smaçi, 26 vjeç nga Durrësi dhe Nikoll Nikolli, 30 vjeç, nga qyteti i Rubikut. Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që automjetet e përfshira në aksident të përfundojnë jashtë rruge, duke u dëmtuar rëndë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se autovetura që drejtohej nga 26-vjeçari Smaçi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe nga Shkodra, në drejtim të Durrësit. Por gjatë manovrës së gabuar për të parakaluar, mjeti tip "Benz" i ka rënë nga pas kamionit me targa të Shkodrës, duke u shkatërruar thuajse plotësisht në pjesën e parë. Familjarët e viktimave kanë deklaruar se dy të rinjtë po ktheheshin nga një dasmë dhe mendohet se ata mund të kenë konsumuar alkool. Duke filluar që nga muaji korrik, rrugët e vendit janë përgjakur nga aksidentet. Në të shumtat e rasteve, viktimat kanë qenë dasmorë. Sipas policisë, një shqetësim në trafik janë kthyer edhe emigrantët, të cilët janë përfshirë në aksidente për shkak të vështirësive që hasin nga mungesa e sinjalistikës së duhur. Pas aksidenteve të ditëve të fundit, blutë kanë krijuar disa task- forca nëpër akse të ndryshme, por kjo nuk i ka evituar ngjarjet nëpër rrugë. r.n