E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos kunatin, hakmarrje për divorcin me të motrën

 

Etleva Delia 

Tentoi të vriste ish-dhëndrin pas divorcit me motrën bie në pranga 31-vjeçari i kërkuar. Policia e kryeqytetit pohoi dje se ngjarja ka ndodhur rreth tre muaj më parë, vetëm pak ditë pasi viktima ishte divorcuar me motrën e autorit të plagosjes, i cili u prangos dhe dje shumë pranë banesës së tij. Albert Ciku, i njohur edhe me emrin Gerald është vënë në pranga pas 3 muajsh që ishte shpallur në kërkim, gjatë një operacioni të oficerëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se 31-vjeçari Ciku është arrestuar në banesën e tij në Fushë-Prezë, në afërsi të Vorës. Ai ishte person i shpallur në kërkim që prej datës 12 maj të këtij viti me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Në këtë datë një 40-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua në Spitalin Ushtarak, pasi një plumb pistoletë që kishte marrë në kofshë, i kishte prekur arterien dhe rrezikonte jetën. Ngjarja ka ndodhur në Vorë dhe pas pyetjes së dhjetëra dëshmitarëve dhe vetë të plagosurit nga oficerët e policisë, u zbulua edhe autori i ngjarjes, që ishte kunati i tij, Albert Ciku. Ky i fundit sipas dëshmive kishte tentuar të vriste 40-vjeçarin Xhevdet Muça, i cili disa muaj më parë kishte qenë i fejuar me motrën e tij dhe pastaj ishte ndarë. Ciku duke dashur të çojë në vend nderin e motrës, ka tentuar të vrasë ish-dhëndrin, duke qëlluar katër herë me pistoletë në drejtim të tij. Oficerët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit të Tiranës, menjëherë pas ngjarjes që ndodhi në Vorë, shpallën në kërkim 31-vjeçarin Albert Ciku, nga Fushë-Preza, për plagosjen me pistoletë të ish-dhëndrin të tij Xhevdet Muça, 40 vjeç. Sipas burimeve nga policia mësohet se mes dy personave prej disa muajsh kishte një konflikt familjar, pasi i plagosuri Muça ka qenë i fejuar me motrën e autorit Ciku. Por pas disa muajsh fejese ai kishte vendosur, që të ndahej nga e fejuara dhe për këtë arsye dyshohet se 31-vjeçari ka dashur të hakmerret për "nderin" e motrës, duke tentuar të vrasë ish-të fejuarin e saj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 12 majit të këtij viti në afërsi të Vorës, ku rastësisht janë takuar viktima dhe autori. Pas një debati të ashpër mes tyre, Albert Ciku ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të Xhevdet Muçës. Fatmirësisht vetëm një nga plumbat ka prekur 40-vjeçarin, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Për disa orë ai ka qenë në gjendje mjaft kritike për jetën, pasi kishte humbur shumë gjak nga plaga e rëndë në kofshë. Por pas ndërhyrjes kirurgjikale gjendja e tij është përmirësuar. Ndërkohë në vendin e ngjarjes është gjetur edhe arma e krimit, si dhe 4 gëzhoja që kishin dalë nga pistoleta që mbante pa leje Albert Ciku. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›