E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në pallatin e gjyqtares

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Tritol në një pallat në lagjen 2 të qytetit të Sarandës. Shpërthimi, ndonëse në sasi të pakët, u dëgjua fuqishëm në të gjithë zonën, duke tronditur jo vetëm banorët, por dhe pushuesit e shumtë në këtë sezon turistik. Ngjarja ndodhi në të njëjtin pallat ku jeton dhe një gjyqtare e rrethit të Sarandës, ndonëse disa kat më poshtë sesa vendi ku shpërtheu eksplozivi. Sipas burimeve të policisë, lënda plasëse u ndez për të shpërthyer rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes në një pallat 5-katësh. Ajo ishte vendosur në sheshpushimin e katit të pestë, midis dy apartamenteve të pallatit. Si pasojë ka pasur dëme materiale në të dy banesat, në dyer, dritare dhe pjesën e dyshemesë, ndërsa kanë shpëtuar pa asnjë lëndim familjarët. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së Sarandës, bëhet e ditur se lënda plasëse ka shpërthyer në afërsi të banesës së shtetasit Edmond Lame, 42 vjeç. Nga hetimet mësohet se lënda shpërthyese mendohet të jetë e llojit tritol dhe në një sasi jo më shumë se 100 gramë. Ajo është ndezur me një fitil zjarrpërcjellës. Në vendngjarje janë grumbulluar disa prova materiale dhe shkencore, ndërkohë që janë marrë edhe dëshmitë e banorëve të pallatit. Lutfie Lame, e ëma e 42-vjeçarit, e cila banon prej 40 vitesh në këtë pallat, shprehet se, e kishte nuhatur së bashku me dy djemtë se diçka po ndodhte, pasi kishte parë një send të dyshimtë jashtë portës së apartamentit. Lehja e qenit, zhurma e këmbëve të një personi që u largua me shpejtësi shkallëve të pallatit dhe era e diçkaje që digjej, kanë ngjallur dyshim në familjen Lamaj. Nga ana e policisë po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës të kësaj vepre penale. Ndaj tyre do të rëndojë akuza e “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i kodit penal. Policia ka nisur hetimin për të dyja familjet në katin ku u vendos tritoli, si dhe për faktin që në të njëjtin pallat jetonte një gjyqtare. Meqenëse banesa e saj ndodhej disa kate poshtë atij, ku u vendos lënda plasëse ka bërë që policia të verifikojë ndonjë konflikt të familjeve të tjera. Burime policore thanë edhe se, shtetasi Edmond Lame, ka qenë i martuar vite më parë me një shtetase nga Saranda por që prej disa vitesh është divorcuar me të. Kjo e fundit jeton prej shumë vjetësh në Greqi dhe ishte kthyer për pushime, duke marrë me qira një apartament në të njëjtën godinë. Bëhet e ditur se janë shoqëruar nga forcat e rendit disa shtetas me të cilët po punohet ndërkohë që ngjarja mendohet të zbardhet plotësisht brenda pak orësh. Shpërthimi i mesnatës së të enjtes shënon rastin e nëntë të shpërthimeve të eksplozivit, të ndodhura në Sarandë në harkun e një viti. Ashtu si 7 raste të tjera edhe ky fundit, vazhdon të jetë ende pa autor, deri në momentet e kapjes dhe vendosjes para drejtësisë së personave përgjegjës për këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›