E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbinjtë, gjeologët: Zona në rrezik

 

BERAT - Gjeologët lë-shojnë alarmin se zona muzeale në Berat është mjaft e rrezikshme dhe se shumë shpejt do të ketë të tjerë shkëmbinj të shembur. Ekspertimet përkatëse në laboratorin qendror në Tiranë e kanë cilësuar këtë zonë si të rrezikshme dhe pa stabilitet. Pas mbërritjes së analizave nga laboratori i Tiranës, Bashkia e Beratit jep sërish alarmin duke i kërkuar qeverisë fonde për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Masivi shkëmbor i kalasë kërcënon tri lagjet muzeale, por më problematikja mbetet lagjja "Mangalem". Nënkryetarja e Bashkisë, Evgjeni Pelivani, theksoi se gjendja është alarmante. "Ne i kemi dërguar shkresat tona qeverisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, asaj të Turizmit si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Monumenteve për fonde. Por përgjigja e tyre ka qenë se nuk kanë para dhe se ne duhet të veprojmë me fondet e emergjencave", theksoi Pelivani. Por, sipas saj, bashkia nuk mund të mbulojë një shpenzim të tillë. Rreth 200 shtëpi të lagjes dhe banorët e Mangalemit çdo ditë rrezikohen. Shumë prej tyre i janë drejtuar bashkisë, duke iu kërkuar të ndërhyjnë sa nuk është vonë. Banorët shprehen se rrinë me frikë në shtëpitë e tyre nga shembja e mundshme e ndonjë masivi tjetër shkëmbor. Pak javë më parë një shkëmb u shkëput nga masivi i kalasë, por fatmirësisht veç dëmtimit të disa shtëpive dhe makinave nuk pati viktima.                                       d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›