Aksidenti, plagosen shtatë pelegrinë

Furgoni në të cilin udhëtonin më shumë se 16 veta doli nga rruga, duke u përmbysur
KURBIN - Fati i keq i ka ndjekur, megjithëse kishin qenë në një vend të shenjtë. Një furgon me pelegrinë që po ktheheshin për në kryeqytet nga kisha e Shën-Ndout në Laç ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë plagosur shtatë persona. Gjendja e të plagosurve edhe pas mjekimeve të marra në spitalin e Laçit është serioze. Burime zyrtare të policisë së Laçit bëjnë të ditur se furgoni me targë TR 4249 G ka dalë nga kthesat e rrugës në malin që është e ngritur kisha e Shën-Ndout, rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme.
Në furgon udhëtonin të paktën 16 pasagjerë, të cilët duket se kishin ardhur nga Tirana për të vizituar vendin e shenjtë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka marrë masa për transportimin e të plagosurve me shpejtësi për në spital. Ekspertët e qarkullimit rrugor që kanë këqyrur vendin ku ndodhi aksidenti, kanë dalë në përfundimin se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një defekt mekanik në automjet. Kjo, pasi sipas policisë, në vendin ku ndodhi ngjarja nuk kishte shenja frenimi, që të lërë vend për dyshime për ndonjë shpejtësi të madhe të mjetit, apo për ndonjë humbje të kontrollit nga ana e drejtuesit të makinës. Por, gjithsesi, duket se fati nuk i ka braktisur tërësisht pasagjerët e automjetit. Ekspertiza e policisë në vendngjarje ka dalë në përfundimin se në momentin e daljes nga rruga, furgoni është ndaluar në një gur të madh, pasi në të kundërt, pasojat do të ishin shumë më të rënda.
Personat e plagosur janë të gjitha femra dhe disa me lidhje familjare mes tyre. Myzejen Hoxhallari, 48 vjeçe, Enisa Shkreta, 19 vjeçe, Valbona Hoxha, 32 vjeçe, Vjollca Shkreta, 55 vjeçe, Tushe Domjani, 52 vjeçe, Bihane Ibro, 53 vjeçe dhe Egli Shkreta, 12 vjeçe, kanë marrë plagë të ndryshme. Ato janë dërguar të gjitha në spitalin e Laçit dhe prej andej në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, për shkak të plagëve serioze. Nuk është hera e parë që në këtë aks ndodhin aksidente të kësaj natyre. Rruga është e shtruar prej jo shumë kohësh, por kthesat e saj në disa pjesë të caktuara janë shumë të forta. Ndërkohë që pjerrësia e madhe është gjithashtu një element që e bën atë edhe më të rrezikshme. Gjatë periudhës më të ngjeshur të pelegrinazhit në kishën e Shën-Ndout, në mesin e muajit qershor, policia merr masa të veçanta për të evituar aksidentet, por duket se ajo e ka të vështirë t’i eliminojë ato gjatë pjesës tjetër të vitit.
Të plagosurat
Myzejen Hoxhallari 48 vjeçe
Enisa Shkreta 19 vjeçe
Valbona Hoxha 32 vjeçe
Vjollca Shkreta 55 vjeçe
Tushe Domjani 52 vjeçe
Bihane Ibro 53 vjeçe
Egli Shkreta 12 vjeçe