Eksperimente dhe fitore

TIRANË – Trajneri Ari Han u ka kërkuar futbollistëve të tij që të luajnë për fitore në ndeshjen e sotme ndaj Azerbajxhanit, ndonëse bëhet fjalë për një miqësore. Takimi i orës 17.00 (20.00 me orën azere) do të transmetohet direkt nga “Super Sporti” dhe në të nuk do të jenë disa nga lojtarët kryesorë kuqezinj si Arian Beqaj, Lorik Cana, Altin Lala apo Erion Bogdani. Të gjithë këta janë me dëmtime apo kanë marrë leje.
“Pavarësisht se është miqësore, dua fitoren, - thotë Han, - kjo na ndihmon në anën psikologjike”. Holandezi e ka të qartë dobësinë e mentalitetit shqiptar në përgjithësi, gjë që e ka shprehur pa mëdyshje në intervistën e muajit gusht për revistën “MAPO”. “Ne duhet të besojmë në forcën tonë”, - arsyeton ai.
Kuqezinjtë, shëtitje paradite në Baku
Nuk dihet saktësisht nëse emri i qytetit do të thotë “qytet i goditur nga era” apo “mali i Zotit”, por dihet se paraditen e djeshme lojtarët e kombëtares shqiptare e kaluan me një shëtitje nëpër Baku (apo Baki). Kryeqyteti i Azerbajxhanit është një vendbanim i madh si dhe i lashtë. Mbi 2 milionë banorë jetojnë aty, sipas statistikave të 2005-ës. Baku ka disa vende interesante për t’u vizituar, mbi të gjithë “Kulla e Parë” apo “Kulla Sy” ndërtuar mes shekullit të 10-të apo të 12-të, ndërsa mendohet se ndërtimet e para aty janë bërë 2 500 vjet më parë. Arkitekti quhej Masud ibn Davud. Në mbrëmje, ora 20.00 (apo 17.00) sipas orës shqiptare, skuadra zhvilloi stërvitje në stadiumin ku do të luhet ndeshja, “Bahramov”. Ndryshe nga informacioni i dhënë dje nga FSHF, të hënën mungonin dy lojtarë në apelin e trajnerit Han, Klodian Duro dhe Isli Hidi. Të dy “qipriotit” u bashkuan dje me skuadrën.
Formacioni i mundshëm:
Hidi, Curri, Dallku, Teli, Vangjeli, Beqiri, Skela, Duro, Lika, Bulku, Berisha