Aksidenti, plagoset zv/ministri i Arsimit, Shamata

Përplasja e veturës së Shamatës me një motokarro pranë doganës për pak i rrezikoi jetën nr.2 të Arsimit
TIRANE- Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, mbeti i plagosur lehtë dje pasdite, pas një aksidenti në afëri të rrotullimit të Doganës në kryeqytet dhe për pak rrezikoi jetën, kur një mjet me të cilin ai udhëtonte u përplas me një motokarro. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, kur Shamata mësohet se udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të qendrës së kryeqytetit, ndërsa po hyte në rrethrrotullimin e doganës.
Sipas burimeve të policisë, Shamata zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, nga përplasja mori plagë të rënda në krah dhe në kokë. Me urgjencë ai u dërgua në spitalin ushtarak në kryeqytet ku iu dha ndihma e parë nga mjekët e traumës. Ndërkaq gjendja e tij nuk paraqitej e rëndë pavarësisht dëmtimeve që sipas burimeve ishin jo serioze. Gjithsesi pas ndihmës së marrë në spitalin ushtarak, Shamata u dërgua në banesën e tij në kryeqytet, ku edhe u deturua të qëndronte për të pushuar pas incidentit që mund të kishte përfunduar me pasoja më të rënda.
Sipas burimeve të policisë, mjeti i zëvendësministrit Shamata, është përplasur me një motokarro, e cila udhëtonte në të njëjtën korsi me mjetin e Shamatës. Për shkak të trafikut të rënduar mjeti i parë ka kryer një frenim të fortë dhe është goditur nga autovetura qeveritare. Kjo e fundit ka marrë dëmtime të rënda në pjesën e përparme të saj ndërsa dëmet tek autokarroja kanë qenë më të vogla. Ndërkaq, menjëherë pas incidentit, mbërritën forca të shumta policie në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet dhe duke sqaruar situatën.
Fillimisht u dyshua se mund të ishte ndonjë veprim i qëllimshëm, edhe për shkak të funksionit të lartë që mban Shamata në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si numri dy i saj. Gjithsesi situate është sqaruar shpejt, pasi është verifikuar se drejtuesi i motokarros ishte vetëm një hallexhi që punonte në transport mallrash me mjetin e mësipëre.
Pas sqarimit të situatës policia bllokoi mjetin, ndërsa ekspertët nisën punën për të sqaruar shkakun e saktë të incidentit. Sipas tyre po verifikohet nëse drejtuesi i mjetit të zëvendësministrit nuk mbajti distancën, apo se manovra e motokarros ishte e pamenduar.