Në gjyq dosja ndaj "brigadierit" të Gërdecit Muça

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, mbylli hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Vangjel alias Veiz Muça i njohur si brigadieri i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, ku si pasoj e shpërthimit të 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen.
Lajmi konfirmohet nga zyrtarët e prokurorisë së kryeqytetit, të cilët theksuan se dosja është nisur për në Gjykatën e Shkallës së Parë e cila do ta hedh në short për caktimin e gjyqtarit që do të gjykoj këtë dosje penale.
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Muça akuzohet për kryerjen e veprës penale të "dëshmisë së rreme" dhënë para togave të zeza në janar të 2010 ku ishte thirrur me cilësinë e dëshmitarit të akuzës.
Para treshes gjykuese të dosjes "Gërdeci", prokurorëve, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre ligjore, sipas akuzës, Muça mohoi disa fakte që i kishte pranuar gjatë fazës hetimore para oficerit të policisë kur është pyetur për ngjarjen si person nën hetim.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Muça para oficerëve të policisë në fazën hetimore ka pranuar se në fabrikën e Gërdecit punonin edhe fëmijë të mitur, ndërkohë para gjykatës e mohoi këtë gjë, duke u shprehur se aty nuk punonin fëmijë. Por, këto deklarime të tija në gjyq, binin ndesh jo vetëm me dëshminë e tij por edhe të mbi 30 deklarimeve të tjera, mes tyre edhe vetë të mitur që pranonin se kishin punuar aty.
Përveç këtij fakti që e mohoi i pandehuri Muça para gjykatës, ishte edhe fakti i ditës dhe kohës së punësimit të tij në fabrikë duke mohuar tre muaj të punësimit. Ndërkohë, mësohet se Muça është hetuar e do të gjykohet në gjendje të lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitjeje" nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila pritet të caktoi me short elektronik gjyqtarin që do të gjykoj dosjen.