E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati, 20 plumba mbi mundësin vlonjat

Klodian Haxhiraj është qëlluar me automatik 100 metra larg shtëpisë. Autorët djegin makinën dhe hedhin armën e krimit


VLORË- Një 27- vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën si pasojë e një breshërie kallashnikovi që ka përshkuar trupin e tij. Të riut i kanë zënë pritë fare pranë banesës, ku është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur orët e mesnatës së djeshme, në lagjen "Pavarësia".


Klodian Haxhiraj, 27 vjeç, po kthehej në shtëpi me automjetin e tij me targa "VL7762C" dhe rreth 100 metra para shtëpisë, i është afruar një tjetër automjet. Ky i fundit ka qenë po Mercedes, gri me targa gjermane dhe në momentin që Klodiani, duke kujtuar se do ta parakalonin, ka ulur shpejtësinë e hapur krahun, nga automjeti ngjitur ka ardhur një breshëri e pandërprerë. Rreth 20 plumba kanë përshkuar pjesën e djathtë të makinës së Haxhiraj dhe si pasojë disa nga plumbat kanë përshkuar dhe trupin e tij.


Automjeti nga i cili është qëlluar, ka lënë me shpejtësi vendngjarjen. I plagosur në gjendje të rëndë ka mbetur 27- vjeçari, i cili është marrë menjëherë nga banorët e lagjes dhe është dërguar në spital, duke iu nënshtruar në mënyrë të menjëhershme ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët pohojnë se ai ka humbur shumë gjak, ka plagë të thella dhe gjendja e tij është e rëndë. Policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka identifikuar mjetin. Vetëm pak minuta pasi ndodhi ngjarja, një automjet Mercedes me targa gjermane "D. E CM 311", është gjetur duke u djegur në një tjetër zonë, pranë lagjes "10 korriku".


Burimet bëjnë me dije se mjeti ka pasur targa false, ndërsa brenda tij është gjetur arma e krimit, tip kallashnikov. Policia ka kryer patrullime gjatë orëve të natës në lagjet e Vlorës, për kapjen e autorëve, por ende nuk ka të identifikuar. 27- vjeçari punonte si mësues fiskulture në një nga shkollat jopublike të qytetit të Vlorës, ndërkohë që merrej me sportin e mundjes. Ai njihej njeri pa probleme, ndërkohë që specialistët e policisë po vijojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Anila Peçi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›