Pranga 4 policëve rrugorë, merrnin ryshfet

Grupi hetimor: Të arrestuarit janë mbikëqyrur për ditë me radhë dhe janë siguruar prova filmike për rastet e korrupsionit
SHKB ka arrestuar katër kryeinspektorët e policisë duke i akuzuar për korrupsion pasiv
KORÇË- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të policisë ka arrestuar pasditen e djeshme katër punonjës të policisë rrugore të Korçës, të cilët dyshohet se merrnin para nga drejtuesit e mjeteve.
Mënyra që ata kishin zgjedhur për të fituar para nga drejtuesit e mjeteve ishte duke iu ushtruar atyre presion për gjoba me shifra të mëdha. Në këto kushte shoferët detyroheshin të paguanin haraçin tek rrugorët duke e zgjidhur çështjen privatisht. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit janë Kryeinspektor Jani Baçellari, Kryeinspektor Enci Bregu, Kryeinspektor Fatos Hymetllari dhe Kryeinspektor Gentian Ravolli.
"Arrestimi u krye pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë arrest në burg pa afat. Ndaj këtyre punonjësve të policisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm së bashku me njësinë Task Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për disa muaj kanë zhvilluar hetime për veprën penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Këta punonjës policie duke qenë me shërbim në aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, në kohë të ndryshme dhe në mënyrë të përsëritur, ndalonin drejtuesit e automjeteve të cilët kryenin kundravajtje administrative dhe në këmbim të mosndëshkimit administrativ u merrnin sasi të konsiderueshme parash",- thuhet në njoftimin zyrtar të policisë në lidhje me këtë çështje.
Burime nga grupi hetimor pohuan se prej kohësh ishte ngritur grupi i punës që po mbante nën mbikëqyrje katër efektivët e policisë rrugore, të cilët patrullonin në segmentin nacional Korçë-Pogradec.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes të të hënës është bërë i mundur arrestimi i katër rrugorëve nën akuzën e "Korrupsionit pasiv". "Të gjitha rastet e këtij hetimi janë dokumentuar nëpërmjet survejimeve të kryera nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm",- thanë burimet zyrtare të policisë
POLICËT E ARRESTUAR
Kryeinspektor Jani Baçellari
Kryeinspektor Enci Bregu
Kryeinspektor Fatos Hymetllari
Kryeinspektor Gentian Ravolli