Zhdukja e 6- vjeçares në Kukës, mbërrin te Krimet e Rënda
Dyshimet flasin për trafik, ndërsa dëshmitarët thonë se ditën e ngjarjes kanë parë një fuoristradë të bardhë pranë fshatit Zapod
Policia e Kukësit i referoi dosjen hetimore për zhdukjen e Bleona Matës Prokurorisë së Krimeve të Rënda
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, merr në dorë hetimin e çështjes së zhdukjes së Bleona Matës, vajzës 6- vjeçare, nga fshati Zapod i Kukësit, e humbur që prej datës 22 maj të këtij viti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të këtij institucioni, të cilët sqaruan se dosja tashmë i është përcjellë nga Policia e Kukësit për vazhdimin e hetimeve për gjetjen e saj.
"Nga analiza e hollësishme e provave dhe fakteve të mbledhura në fshatin Zapod të rrethit të Kukësit, ku është zhdukur prej 10 ditësh vogëlushja 6 vjeçare, Policia e Shtetit i ka referuar vazhdimin e hetimit të dosjes, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një veprim i tillë është bërë pas dyshimeve për rrëmbimin me qëllim trafikimi, -thanë burimet.
Gjatë paradites së sotme, pritet që të bëhet regjistrimi i procedimit penal për zhdukjen e 6- vjeçares Bleona Mata me dyshimin e kryerjes së veprës penale të "rrëmbimit ose mbajtes peng të personit", me qëllime trafikimi.
Më pas, pritet që drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, të caktojë dy prokurorë për hetimin e çështjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth 40 km larg qytetit të Kukësit më 22 maj të këtij viti. Sipas hetimeve paraprake të kryera nga policia e Kukësit, dyshohet se vogëlushja 6- vjeçare është rrëmbyer nga persona të paidentifikuar, me destinacion trafikimin.
Ky dyshim është ngritur pasi gjatë kërkimeve nuk është gjetur asnjë gjurmë apo njollë gjaku që të mendohet se ka rënë viktimë e ndonjë kafshe të egër, dhe po kështu është përjashtuar edhe mbytja e saj.
Po kështu edhe disa pista të tjera të hetuara fillimisht kanë rënë. Në dosjen penale që është dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë administruar, një sërë raportesh të kontrolleve të banesave, si dhe deklarime të personave banorë të zonës dhe familjarë me cilësinë e deklaruesve.
"Një person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, banor i zonës, gjatë deklarimeve të dhëna para hetuesve të policisë, ka ngritur dyshime se atë ditë kishte parë një fuoristradë të largohej me shpejtësi të madhe nga fshati Kosharisht në drejtim të Orçikles (fshatra pranë fshatit Zapod ku është rrëmbyer vajza). Matanë lumit që ndan fshatin Zapod ka qenë ndaluar një makinë me ngjyrë të bardhë ku janë fiksuar dy persona që vrojtonin"- thuhet nga burimet të Prokurorisë.
Pas caktimit të prokurorëve të çështjes, ata mund të mbërrijnë në Kukës për të vijuar hetimet e zhdukjes së vajzës, e cila më 22 maj bashkë me dy shoqet e saja në moshë më të madhe kishin shoqëruar hallën e 6- vjeçares për të kullotur bagëtitë. Aty rreth drekës dy shoqet e 6 -vjeçares kanë zbritur në fshat ndërsa 6- vjeçarja ka qëndruar me hallën e saj për të kullotur bagëtitë.
Në një moment vajza ka kërkuar për të ngrënë bukë dhe halla e saj, mësohet se i ka dhënë duke i kërkuar të rrinte ulur aty sa të kthente bagëtitë që ishin larguar nga vend qëndrimi i tyre. Halla e vajzës 6- vjeçare është larguar disa metra për t'i kthyer bagëtitë dhe kur është kthyer në vendin ku e ka lënë vajzën nuk e ka gjetur këtë të fundit. Ka filluar ta kërkojë rreth zonës, duke thirrur në emër por asgjë nuk ka gjetur.
E alarmuar ka zbritur në fshat duke kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzës, ku janë angazhuar i gjithë fshati dhe policia me qen të cilët edhe pse kanë kaluar 10 ditë nuk kanë gjetur asnjë shenjë të saj. Policia e Kukësit ka vendosur si shpërblim shumën prej 3 milionë lekë të reja si shpërblim për ata persona që japin informacione për vendndodhjen e vajzës 6- vjeçare.